Rruga e gjatë e Kosovës drejt ushtrisë së saj
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i136478-rruga_e_gjatë_e_kosovës_drejt_ushtrisë_së_saj
Sot u mbushën katër vjet, që kur u miratua në Kuvendin e Kosovës, Ligji për shndërrimin e FSK-së në Ushtri të Kosovës.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Dhjetor 14, 2022 08:29 Europe/Tirane
  • Rruga e gjatë e Kosovës drejt ushtrisë së saj

Sot u mbushën katër vjet, që kur u miratua në Kuvendin e Kosovës, Ligji për shndërrimin e FSK-së në Ushtri të Kosovës.

Më 14 dhjetor 2018, Kuvendi i Kosovës,  me 106 vota pro dhe një abstenim, miratoi tri ligjet që e ndryshojnë mandatin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Ushtri të Kosovës. RTK në atë kohë, kishte realizuar një reportazh për rrugën e gjatë e të vështirë të Kosovës, për të pasur ushtrinë e saj.

LUFTA PËR LIRI

Kështu, edhe pse e shndërruar në Ushtri të Kosovës, vetëm katër vjet më parë, rrënjët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, janë më të vjetra se dy dekada. 25 vjet më parë doli hapur Ushtria Çlirimtare e Kosovës, si nevojë e domosdoshme e popullit për ta luftuar pushtuesin dhe pushtetin serb.

Më 28 nëntor 1997, në  ceremoninë e varrimit të mësuesit  Halit Geci në Llaushë të Skënderajt, të vrarë nga policia serbe, nisi jetën publike edhe forca e cila 21 vjet më vonë (14 dhjetor 2018) u bë edhe ushtria e ardhshme e Kosovës.

E gjithë ajo që pasoi tashmë është e njohur. Lufta e familjes Jashari me në krye komandatin legjendar, Adem Jashari, të vrarët, të dëbuarit nga forcat serbe, intervenimi i NATO-s e deri tek clirimi i Kosovës në qershor 1999.

ÇLIRIMI DHE DEMILITARIZIMI

Çlirimi erdhi pas shumë vuajtjeve. Ish pjesëtarët e UÇK-së, u pritën dhe nderuan nga i gjithë populli. Ata ishin shpresa e cila bëri realitet lirinë, të ndihmuar edhe nga shtetet liridashëse perëndimore.

Ato ditë, pasuan edhe me aktin e lartë e fisnik të djemve e vajzave që dikur rrokën armët për lirinë e vendit.

Erdhi koha e demilitarizimit. Me nënshkrimin e  marrëveshjes, ndërmjet ish-drejtuesve të lartë të UÇK-së dhe atyre të NATO-s,  luftëtarët e lirisë dorëzuan armët dhe i hapën rrugë një procesi tjetër, atij të demilitarizimit. Kështu, nga UÇK-ja, lindi TMK-ja.

TRUPAT MBROJTËSE TË KOSOVËS

Ushtria Çlrimitare e Kosovës u shua, por idealet e saj që ky vend të ketë ushtrinë, u pasuan tek Trupat Mbrojtëse të Kosovës.

Të krijuara me mandate për ndërhyrje emergjente, shumë shpejt TMK-ja do të bëhej guri tjetër  në ndërtimin e ushtrisë së ardhshme të Kosovës.

Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK) ishin pjesë përbërëse e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës nën protektoratin e OKB-së, saktësisht Misionit të OKB-së në Kosovë.

Detyrat dhe të drejtat e TMK-së në atë kohë ishin veprimi për ndalimin dhe zvogëlimin dëmeve nga katastrofat natyrore, aksidentet, ofrimi i ndihmës në zona të rrezikuara, ndihma në pastrimin e fushave të minuara e ndihma për ri-ndërtimin e vendit të shkatërruar nga lufta.

Por pas 7 vjetësh, sikur kishte ardhur koha për një moment tjetër historik. Atë të formimit të  një force të re.

FORCA E KOSOVËS 

Më 2 shkurt 2007 i dërguari special për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, dorëzoi propozimin e tij në Kosovë e Serbi, ku ndër të tjera, parashihej edhe shpërbërja e TMK-së, dhe krijimi i një force të re.  Dhe ashtu ndodhi.

Pas dy vjetësh, saktësisht më 20 janar të 2009, TMK-ja zyrtarisht u shpërbë duke u krijuar Forcae e Sigurisë së Kosovës.

Kjo forcë fillimisht, kishte përgjegjësi që të përballet me katastrofat e rënda, siç janë tërmetet, vërshimet ose zjarret, që mund ta kërcënojnë Kosovën.

Më 4 mars të vitit 2014, Qeveria e Kosovës mori vendimin që të formohen Forcat e Armatosura të Kosovës, vendim që për shkak të ndryshimeve kushtetuese që nevojiteshin, ishte e pamundur të arrihej.

Sidoqftë, Kosova dhe kosovarët u desh të presin deri me 14 dhjetor 2018, që forca e cila  nisi rrugën për të fituar lirinë, të merrte formën përfundimtare të ushtrisë.

E gjithë kjo, me mbështetjen e shtetëve perëndimore e në mënyrë të veçantë, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ushtria e re e Republikës së Kosovës, në vitin 2018, kishte një buxhet vjetor prej 98 milionë euro, 5,000 trupa të armatosura dhe 3,000 rezervistë.

Tani pas katër vitesh, ky buxhet është rritur dukshëm ashtu sikurse edhe vetë FSK-ja.

RTK