Përfundon protesta e të djathtëve serbë në Jarinje
Ka përfunduar tubimi në Jarinje, në anën e territorit serb, i organizuar nga e ashtuquajtura organizata “Atdhetarët serbë nga Serbia, Mali i Zi dhe Republika Serbe”.
Më shumë se 100 pjesëmarrës në këtë tubim nuk janë lejuar nga policia e Serbisë ta kalojnë kufirin për të hyrë në Kosovë. Shumë prej tyre kanë qenë me maska, ndërsa përveç pankartave dhe flamujve të Serbisë, janë dëgjuar këngë nacionaliste dhe brohoritje “Kosova është Serbi”. Në mesin e të tubuarve ka pasur edhe shtetas rusë. Pas më shumë se dy orëve ata janë shpërndarë, ndërsa ka pasur përplasje mes protestuesve dhe policisë, si dhe mes vetë grupeve pjesëmarrëse. Ngjarjen nga Jarinja e kanë përcjell gazetarë nga Serbia dhe Rusia, ndërsa gazetarët shqiptarë për shkak të bllokadave nuk kanë pasur mundësi të mbërrijnë në pikën kufitare në Jarinje.