Raporti i policisë i mbushur me dhunë në familje e kanosje
Raporti i fundit 24 orësh i Policisë së Kosovës vazhdon të jetë i mbushur me kanosje e dhunë në familje. Raste të tilla policia raporton të kenë ndodhur gati në të gjitha komunat e Kosovës, ndërsa femrat si rëndomtë mbesin objekt i dhunës.
Në Prishtinë një femër ka raportuar se në një periudhë kohore, i dyshuari e ka detyruar atë të kryente marrëdhënie seksuale, derisa në Ferizaj, një nënë kishte njoftuar policinë se vajza e saj e moshës 15 vjeçe është duke bashkëjetuar me një të dyshuar.
Në rrugën “Lidhja e Prizrenit” policia njofton po ashtu se ka arrestuar të dyshuarin pasi kishte kanosur një femër derisa ajo ishte në vendin e saj të punës. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Ndërsa një grua ka raportuar se është shqetësuar dhe kanosur nga ish-bashkëshorti, i cili është shoqëruar në stacion policor dhe me vendim të prokurorit, rasti është proceduar në procedurë të rregullt.
E në Obiliq një person është arrestuar pasi kishte publikuar fotografi komprometuese të viktimës, e me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje. Edhe në Mitrovicë është arrestuar një person nën dyshim e ka sulmuar seksualisht viktimën femër kosovare. Edhe ky person me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Ndryshe, Policia në raportin 24 orësh ka përmendur edhe raste të tjera të ngacmimit seksual e dhunës në familje.
Ndryshe, sipas raportit të Policisë, në Kosovë është rritur ndër vite numri i rasteve të dhunës në familje. Në periudhën janar-tetor 2022, numri total i rasteve të dhunës ka qenë 2273, prej tyre 2486 viktima e mbi 80 për qind gra. Ndërsa sipas të dhënave të organizatave për mbrojtjen e grave, nga viti 2010, e deri më tani, 50 gra janë vrarë nga burrat.
RTKlive