Ambasadori i BE-së thirrje Maqedonisë së Veriut: Ndryshoni Kushtetutën
(last modified Tue, 23 May 2023 17:24:32 GMT )
May 23, 2023 19:24 Europe/Tirane
  • Ambasadori i BE-së thirrje Maqedonisë së Veriut: Ndryshoni Kushtetutën

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shkup, David Geer, i ka kërkuar ligjvënësve maqedonas të bëjnë ndryshimet Kushtetuese, për të përfshirë pakicën bullgare në preambulën e saj.

Ndryshimet kushtetuese janë parashikuar në Marrëveshjen me Bullgarisë për zgjidhjen e kontesteve për gjuhën, identitetin dhe aspektet historike andaj edhe është kusht për vazhdimin e negociatave të vendit për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE). Ambasadori i BE-së tha se Maqedonia e Veriut ndodhet në një moment shumë të veçantë të historisë, pasi sipas tij, procesi i zgjerimit është vendosur si prioritet kryesor në agjendën e BE-së, që do të thotë se gjërat mund të zhvillohen shumë shpejt. “Maqedonia e Veriut mund ta shfrytëzojë atë mundësi, për të qenë në gjendje të ecë përpara dhe hapi tjetër që duhet bërë është ndryshimi i Kushtetutës”, tha Geer gjatë një vizite në qytetin e Ohrit. Ai theksoi se Shkupi ka hapur negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian, por kjo rrugë mund të vazhdohet vetëm me ndryshimin e Kushtetutës. “Kuptohet se po flasim për një vendim sovran që duhet të merret nga vendi juaj. Mirëpo, po flasim për një vendim thelbësor për të ecur përpara”, tha ambasadori I BE. Ai përmendi edhe nevojën për reforma, që sipas ambasadorit të bllokut evropian, janë kyçe për dinamizimin e procesit të integrimit evropian. “Sa më shpejt të zbatohen reformat, aq më e shpejtë do të jetë hyrja e vendit në BE”, u shpreh Geer. Në mars 2020, Bashkimi Evropian vendosi që të fillonte negociatat me Maqedoninë Veriut , por ky proces u bllokua nga Bullgaria duke kushtëzuar mbështetjen e saj me zgjidhjen e kontesteve mes dy vendeve. Bullgaria hoqi veton në vitin 2022 pas arritjes së marrëveshjes me Maqedoninë e Veriut, me ndërmjetësimin e Francës. Por, ndryshimet kushtetuese tani kundërshtohen nga opozita maqedonase. VMRO DPMNE ka thënë se Brukseli duhet të japë garanci se Sofja nuk do të paraqesë kushtëzime tjera në procesin e mëtejmë të integrimit evropian të vendit. Ndryshimet kushtetuese miratohen me votat e 80 deputetëve nga 120 sa ka Kuvendi i Maqedonisë së Veriut. Shumica parlamentare ka 74 deputetë.

Tags