Policia i asiston kryetarët të futen në komuna, serbët ndezin alarmin
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i144480-policia_i_asiston_kryetarët_të_futen_në_komuna_serbët_ndezin_alarmin
Dhjetëra serbë janë mbledhur para objektit të Komunës së Zubin Potokut, një ditë pasi kryetari i ri i kësaj komune, Izmir Zeqiri, e ka bërë betimin.
(last modified 2025-09-04T20:32:14+00:00 )
May 26, 2023 14:06 Europe/Tirane
  • Policia i asiston kryetarët të futen në komuna, serbët ndezin alarmin

Dhjetëra serbë janë mbledhur para objektit të Komunës së Zubin Potokut, një ditë pasi kryetari i ri i kësaj komune, Izmir Zeqiri, e ka bërë betimin.

Grumbullime të tilla raportohet se ka edhe para objekteve komunale në Zveçan dhe Leposaviq. Paraprakisht në mesditë janë dëgjuar alarmet në katër komunat veriore që janë të banuara me shumicë serbe.

Para objektit të komunës së Zveçanit shihen edhe makina të Policisë së Kosovës dhe të EULEX-it.

Ndërkohë, Policia e Kosovës ka konfirmuar nëpërmjet një komunikate se sipas autorizimeve ligjore dhe kushtetuese po ndërmerr veprimet e saja policore në ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike si dhe ndërmarrjen e masave policore me qëllim të parandalimit të të gjitha veprimtarive kriminale që paraqiten në vend.

“Sipas detyrës zyrtare, sot Policia e Kosovës është duke asistuar kryetarët e komunave veriore Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, për të ushtruar të drejtën e tyre në punë, në objektet zyrtare të komunave përkatëse”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Sekretari shtetëror në ministrinë e mbrojtjes serbe, Nemanja Staroviq, ka thënë se “njësitet speciale të Policisë së Kosovës kanë shkuar tek ndërtesat komunale në veri të Kosovës me qëllim të vendosjes së kryetarëve të rinj të zgjedhur për qind të votave në zgjedhjet e 23 prillit”.

“Sinjalet e telefonave mobilë janë fikur në pjesë të rajonit, sirenat tingëllojnë ndërsa qytetarët e shqetësuar mblidhen për të mbrojtur në “mënyrë paqësore” të drejtat e tyre themelore njerëzore dhe politike”, ka shkruar Staroviq në Twitter

RTK