Kurti: Nuk është në rregull të ngacmohet Kosova
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti e ka quajtur të padrejtë përjashtimin e Kosovës nga stërvitja më e madhe e aleatëve të NATO-s në Ballkan, e njohur si “Defender Europe ‘23”.
Ai në një intervistë për gazetën “Bloomberg”, duke komentuar këtë vendim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka thënë se “nuk është në rregull të ngacmosh Kosovën”. “Sa herë që Shtetet e Bashkuara kërkojnë diçka nga ne, ne nuk pyesim pse, por vetëm kur dhe si”, ka deklaruar kreu i ekzekutivit kosovar. Teksa ka folur për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, Kurti ka përsëritur se një republikë demokratike nuk mund t’i nënshtrohet milicisë së dhunshme të Serbisë. “Serbia duhet të ndërpresë mbështetjen për milicinë që shkaktoi protesta në veri të Kosovës muajin e kaluar dhe përgjegjësit duhet të ndiqen penalisht përpara se qeveria të shqyrtojë lehtësimin e qëndrimit të saj”, ka thënë ai. “Ne si një republikë demokratike nuk mund t’i nënshtrohemi kësaj milicie të dhunshme,” tha Kurti. “Ne duam që gjërat të zgjidhen sa më shpejt të jetë e mundur, por ju e dini se kjo nuk varet vetëm nga ne”, ka shtuar kryeministri i Kosovës. Gati dy vjet Ministria e Mbrojtjes e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës shpenzuan për t’u bërë gati për stërvitjen “Defender Europe ‘23”.