Prishtina bllokon kamionët me mallra serbe
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i145414-prishtina_bllokon_kamionët_me_mallra_serbe
Tre policë kufitarë të Policisë së Kosovës janë rrëmbyer nga njësitë speciale të Serbisë në vijën kufitare mes të dyja vendeve.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Qershor 14, 2023 17:23 Europe/Tirane
  • Prishtina bllokon kamionët me mallra serbe

Tre policë kufitarë të Policisë së Kosovës janë rrëmbyer nga njësitë speciale të Serbisë në vijën kufitare mes të dyja vendeve.

Policia e Kosovës sqaron se tre zyrtarët ishin të stacionuar në pikën statike në vendin e njohur si Bare për të penguar qarkullimin përgjatë rrugëve ilegale në Leposaviq, brenda territorit të Republikës së Kosovës. “Policia e Kosovës thekson se njësia patrulluese ka qenë me detyrë zyrtare në pikën statike në Bare thellë në territorin e Kosovës, me qëllim parandalimin e grupeve kriminale për qarkullim të kontrabandës në rrugët ilegale”, tha zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani. Sipas policisë, zyrtarët kishin njoftuar se kanë parë persona të maskuar dhe armatosur në afërsi të pikës derisa kanë kërkuar edhe asistencë, e cila kur arriti në vendin e ngjarjes gjeti vetëm makinën zyrtare. Futja në territorin e Kosovës nuk është e pazakontë sipas policisë, pasi që kjo bëhet me qëllim destabilizimi të vendit. Për lirimin e tyre janë njoftuar të gjithë mekanizmat vendorë dhe ndërkombëtarë, përfshirë edhe misionin e KFOR-it. Rrëmbimi i tre policëve kufitar të Kosovës, nga policia speciale e Serbisë ka nxitur reagimin e Qeverisë së Kosovës e cila ka marrë vendim për ndalimin e hyrjes në Kosovë të të gjitha mallrave që kanë origjinë serbe. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar duke thënë se rrëmbimi i policëve u bë në shenjë hakmarrjeje pas arrestimit të të dyshuarit për sulm ndaj KFOR-it, Milune Milenkoviç. Kurti ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të tre policëve.