Analistët serbë: Serbia u mund dhe u poshtërua
(last modified Fri, 29 Sep 2023 06:56:06 GMT )
Shtator 29, 2023 08:56 Europe/Tirane
  • Analistët serbë: Serbia u mund dhe u poshtërua

Analistët akuzojnë presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, se nuk po përgjigjet në shumë pyetje lidhur me atë që ndodhi të dielën e 24 shtatorit në fshatin Banjskë në veri të Kosovës.

Sulmin e armatosur në Banjskë ata e shohin si një debakël të politikës së Beogradit dhe thonë se Serbia u poshtërua dhe u mund atje. Mbi të gjitha ata thonë se qytetarët e Serbisë janë privuar nga momentet kyçe – cili ishte qëllimi i organizatorëve të aksionit të armatosur në Banjskë, a e dinte Beogradi dhe a mori pjesë në atë ngjarje? “Tani për tani, vështirë  mund të konstatojmë nëse Beogradi zyrtar është i përfshirë në këtë, veçanërisht sepse pozita negociuese tani është dukshëm e dobësuar, ndërsa e Prishtinës është forcuar dukshëm. Faktikisht brenda natës, situata ndryshoi. Por ajo që është e vështirë të imagjinohet është se është e pamundur të mendohet që një incident si ky të ndodhë pa dijeninë e disa pjesëve të strukturave të sigurisë së Serbisë”, thotë analisti serb Srgjan Hercigonja. Ai thekson se përgjigja në këtë pyetje varet edhe nga ajo që do të ndodhë më pas dhe nëse Serbia ndoshta do t’i ekspozohet disa sanksioneve, për të cilat po flitet gjithnjë e më shumë në Perëndim. “Serbia u poshtërua dhe u mund nga njerëzit që deri dje i quante terroristë”, thotë analisti tjetër politik serb Dragomir Angjelkoviq. Daljen e fundit mediatike të presidentit të Serbisë, Angjelkoviq e sheh si përpjekje për t’u distancuar nga të gjitha ngjarjet dhe për t’ua hedhur fajin të tjerëve, për të mos e inatosur Perëndimin, por edhe për të mos humbur reputacionin e tij në opinionin serb. Angjelkoviq thekson se “pas aksionit në Banjskë, serbët dhe Serbia në pjesën perëndimore të bashkësisë ndërkombëtare janë paraqitur si terroristë, ndërsa në lindje na shohin si fatkeqë që nuk dinë se çfarë po bëjnë”.