Kurti: Kërcënimet e terrorizmit dhe agresioni në rajon janë në rritje
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se në kohën kur kërcënimet e terrorizmit dhe agresioni në rajon janë në rritje, integrimi i Kosovës në institucionet Euro-Atlantike është më i rëndësishëm se asnjëherë më parë.
Këto komente Kurti i bëri në Prishtinë në pritjen për shënimin e Ditës Kombëtare të Irlandës.
Kurti u shpreh se Kosova dhe Irlanda kanë pasur gjithmonë marrëdhënie miqësore që nga shpallja e pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Ai nënvizoi faktin që Irlanda ishte ndër vendet e para që njohu shtetin dhe shtetësinë tonë, qysh dymbëdhjetë ditë pas shpalljes së pavarësisë.
“Ne në Kosovë e vlerësojmë dhe e çmojmë partneritetin tonë me Irlandën”, tha kryeministri i Kosovës.
“Në një kohë kur kërcënimet e terrorizmit dhe agresioni në rajon janë në rritje, integrimi i Kosovës në institucionet Euro-Atlantike është më i rëndësishëm se asnjëherë më parë për paqen, sigurinë dhe të drejtat e njeriut në Ballkanin Perëndimor”, shtoi Kurti.