Meta: Zgjidhja e ngërçit në Maqedoni në interes të Shqipërisë
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i29389-meta_zgjidhja_e_ngërçit_në_maqedoni_në_interes_të_shqipërisë
Kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta ka pritur sot në një takim zv/kryeministrin e Maqedonisë, Festim Halili, i shoqëruar nga ministrja e Vetëqeverisjes Lokale, Sheir Elezi.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Shtator 28, 2016 15:49 Europe/Tirane
  • Meta: Zgjidhja e ngërçit në Maqedoni në interes të Shqipërisë

Kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta ka pritur sot në një takim zv/kryeministrin e Maqedonisë, Festim Halili, i shoqëruar nga ministrja e Vetëqeverisjes Lokale, Sheir Elezi.

Gjatë bisedës, Meta theksoi se zgjidhja sa më e shpejtë e ngërçit politik në vendin fqinj është në interes të Shqipërisë e cila është e interesuar të avancojë bashkërisht me Maqedoninë për projektet afatgjatë të ndërlidhjes rajonale. Në këtë kuadër u theksua se stabiliteti politik i Maqedonisë i shërben cilësisë së jetesës së shqiptarëve në vendin fqinj, të cilët kanë dhënë një kontribut mjaft pozitiv në avancimin euro-atlantik të Maqedonisë. Nga ana e tij, Halili vlerësoi mbështetjen e Kuvendit të Shqipërisë dhe të Kryetarit Meta në drejtim të forcimit të bashkëpunimit të gjithanshëm mes dy vendeve fqinje dhe nënvizoi se zhvillimi i projekteve infrastrukturore si Korridori 8 janë vendimtare për të ardhmen e të dy vendeve. Në përfundim të takimit, Meta theksoi se Shqipëria i sheh me interes të veçantë marrëdhëniet me Maqedoninë, jo vetëm si vend fqinj, por edhe falë faktorit shqiptar i cili është një urë solide bashkëpunimi dhe miqësie mes dy vendeve tona. Në këtë drejtim u vlerësua rëndësia e daljes nga kriza politike përmes zgjedhjeve të përgjithshme të 11 dhjetorit të cilat do të përshpejtonin edhe proceset integruese të vendit.