Shtetasit e Kosovës nuk dëshirojnë të marrin pjesë në luftëra të huaja
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i37366-shtetasit_e_kosovës_nuk_dëshirojnë_të_marrin_pjesë_në_luftëra_të_huaja
Numri i shtetasve të Kosovës, të cilët kanë tentuar të shkojnë në vend-luftimet e huaja, në Siri dhe Irak, por që janë arrestuar nga organet e rendit, gjatë këtij viti ka shënuar rënie.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Dhjetor 03, 2016 17:09 Europe/Tirane
  • Shtetasit e Kosovës nuk dëshirojnë të marrin pjesë në luftëra të huaja

Numri i shtetasve të Kosovës, të cilët kanë tentuar të shkojnë në vend-luftimet e huaja, në Siri dhe Irak, por që janë arrestuar nga organet e rendit, gjatë këtij viti ka shënuar rënie.

Të paktën, kështu vlerësojnë zyrtarët e Policisë së Kosovës dhe njohësit e rrethanave të sigurisë në vend. Sipas tyre, faktorët që kanë ndikuar për rënien e këtij numri, janë të ndryshëm. Daut Hoxha, zëdhënës i Policisë së Kosovës, thotë se numri i shtetasve të Kosovës, të cilët gjatë këtij viti janë parandaluar të shkojnë në zonat e konfliktit, është shumë më i ulët se sa në vitet e kaluara. “Policia e Kosovës, në bashkëpunim edhe me agjencitë tjera të sigurisë në vend dhe ato ndërkombëtare, ka arritur që ta parandalojë një numër të caktuar të personave, gjatë tentimit të tyre për të shkuar në zonën e konfliktit. Nga viti 2012 deri në vitin 2015 janë rreth 40 persona, përderisa në vitin 2016, deri në këtë periudhë janë 5 të tillë”, thotë zëdhënësi Hoxha. Por, cilat janë shkaqet që kanë ndikuar në, siç thuhet, trendin e uljes së numrit të personave nga Kosova, të cilët tentojnë, që t’ia mësyjnë zonave të konfliktit në Siri dhe Irak, për t’iu bashkangjitur grupeve ekstreme dhe të dhunshme? Mentor Vrajolli, hulumtues në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë, shpjegon se të dhënat nga terreni tregojnë se te qytetarët e Kosovës është ngritur vetëdija lidhur me grupimet ekstreme dhe terroriste që veprojnë në konfliktet në Siri dhe Irak. “Qytetarët e Kosovës janë të vetëdijshëm që grupet si ISIS-i, janë pa kurrfarë dyshimi organizata terroriste brutale, të cilat keqpërdorin religjionin për të kryer krime absurde ndaj të gjithë atyre që nuk i nënshtrohen botëkuptimeve të këtij grupimi. Pra, qytetarët e Kosovës, tashmë janë të vetëdijshëm se lufta në Siri dhe Irak nuk bëhet për t’u dalë krah qytetarëve të pambrojtur. Andaj, si rezultat, edhe interesimi i qytetarëve të Kosovës për t’iu bashkangjitur këtyre grupeve, ka rënë në mënyrë drastike”, thotë Vrajolli. Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Burim Ramadani, profesor i Sigurisë Kombëtare në Kolegjin ISPE, thotë se në rënien e numrit të personave nga Kosova që u bashkohen luftërave të huaja, kanë dhënë efekte tri nivele. “Së pari, institucionet e Kosovës dhe shoqëria e Kosovës në përgjithësi, e ka trajtuar më seriozisht këtë çështje. Së dyti, është rritur bashkëpunimi me shtetet e ndryshme dhe bashkëpunimi ndërkombëtar edhe për këtë çështje. Së treti, trendi global i njerëzve që i bashkohen konfliktit në territor të Sirisë dhe Irakut është në rënie dhe kjo ka reflektuar, normalisht, edhe në Kosovë, por edhe në Ballkan”, shpjegon Ramadani. Shtetasit e Kosovës, të cilët janë parandaluar të shkojnë në zonat e konfliktit në Siri dhe Irak, deri vonë kanë shfrytëzuar, siç thuhet, rrugët ajrore dhe ata janë ndaluar në aeroporte. Rrugët e tilla, tashmë janë bërë të pamundura për ta.  Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, numri i përgjithshëm i shtetasve të Kosovës që kanë udhëtuar për në Siri që nga viti 2012 është rreth 316, në mesin e tyre 44 gra dhe 29 fëmijë. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Hoxha, thekson se aktualisht në zonat e konfliktit në Siri dhe Irak, vlerësohet se janë më pak se gjysma e këtij numri të shtetasve të Kosovës. “Vlerësohet se aktualisht numri i qytetarëve nga Kosova në zonat e konfliktit është rreth 140, duke përfshirë këtu75 persona që dyshohet se në forma të ndryshme janë aktiv në organizatat terroriste, të përcjellë nga gratë dhe fëmijët e tyre”, thotë ai. Sipas të dhënave të policisë, në Siri dhe Irak, aktualisht janë edhe 38 gra dhe 27 fëmijë, ndërkaq 58 shtetas të Kosovës janë raportuar si të vrarë. Shumica prej tyre besohet të jenë vrarë prej vetë terroristëve pas tentimeve për t’u larguar nga zonat e konfliktit. Deri më tani 117 prej tyre janë kthyer në Kosovë. Të dhënat e policisë tregojnë se shtetasit e Kosovës, të cilët kanë udhëtuar për në zonat e konfliktit, kryesisht janë të rinj të moshës 18-27 vjeç. Shumica prej tyre, siç thuhet, ishin me gjendje të rëndë ekonomike dhe probleme sociale, me një edukim të ulët ose nuk kanë pasur fare qasje në edukim, si dhe një pjesë e tyre ishin me të kaluar kriminale.