Vizita e Stoltenberg në Ballkan
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Bosnjë e Hercegovinë, në Sarajevë deklaroi se Aleanca mbetet e përkushtuar në stabilitetin e rajonit të Ballkanit, si dhe në partneritetin me BeH.
“Për dy dekada me radhë NATO i ndihmon dhe e garanton stabilitetin dhe me të vërtetë e vlerësojmë partneritetin me BeH dhe kjo është e rëndësishme edhe për BeH-në edhe për NATO-n, pasi që partneriteti ynë është i ndërsjellë”, tha Stoltenberg pas takimit me anëtarët e Kryesisë së BeH-së. Ai e përshëndeti progresin që BeH e ka realizuar në sferën e mbrojtjes, duke e përfshirë edhe miratimin e dokumentit “Shqyrtimi i mbrojtjes”, me të cilin definohet zhvillimi i Forcave të armatosura të BeH-së në periudhën e ardhshme. Stoltenberg ju bëri thirrje liderëve të Bosnjës që të angazhohen shtesë në këtë plan dhe t’i vazhdojnë reformat e filluara, duke e potencuar gatishmërinë e NATO-s për ta aktivizuar Planin veprues për anëtarësim (MAP) në BeH, menjëherë pas plotësimit të kushteve të domosdoshme. “BeH është kandidate për anëtarësim në NATO dhe i keni instrumentet e nevojshme për progres në këtë plan. NATO është e gatshme për aktivizimin e MAP, por kur prona ushtarake do të evidentohet me reforma në sferën e sektorit të sigurisë”, tha Stoltenberg. Ai shfaqi falënderim për pjesëmarrjen e BeH-së në misionin paqësor në Afganistan dhe për kontributin e vendit në luftën kundër terrorizmit. Stoltenberg, duke folur në Sarajevë, tha se NATO ka parë raporte për “rritjen e ndikimit rus në rajon, e sidomos për ndërhyrjen ruse në procesin politik në Mal të Zi, në vitin 2016”. “Po vëzhgojmë nga afër, po punojmë me partnerët, përfshirë Malin e Zi, për t’iu ndihmuar që t’i forcojnë kapacitetet e inteligjencës dhe institucionet e mbrojtjes”, tha Stoltenberg. Mali i Zi pritet t’i bashkohet NATO-s këtë vit – gjë që është kundërshtuar fuqishëm nga Moska. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s po ashtu sot ka zhvilluar nëj vizitë në Kosovë, ku është takuar me krerët më të lartë të këtij shteti. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg gjatë vizitës në Kosovë është takuar edhe me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi. Kurse, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, pas takimit me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg në një konferencë të përbashkët për media tha se Kosova ka nevojë për ndihmë për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura, pasi kjo çështje ka mbetur peng shkaku i deputetëve serbë.