Bosnja në rrugën e anëtarësimit në NATO
Jens Stoltenberg, sekretari i përgjithshëm i NATO ditën e enjte tha se Bosnja e ka të nevojshme që të anëtarësohet në NATO.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë vizitës së tij në Sarajevë, foli lidhur me rrugën e Bosnjë Hercegovinës për anëtarësim në aleancë. Gjatë qëndrimit të tij në kryeqytetin e Bosnjë Hercegovinës, z. Stoltenberg u takua me kryesuesin e presidencës trianëtarëshe të Bosnjë Hercegovinës, Mlladen Ivaniç, me kryeministrin, Denis Zvizdiç dhe me zyrtarë të tjerë të lartë të këtij vendi. Ai, po ashtu, mbajti një fjalim në Shtëpinë e Armatës në Sarajevë. Në vitin 2006, Bosnjë Hercegovina është pranuar në programin e NATO-s, Partneriteti për paqe, dhe ishte e angazhuar në dialog me aleancën për pranim që prej vitit 2008. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili qëndron për vizitë zyrtare në Bosnjë e Hercegovinë, në Sarajevë deklaroi se Aleanca mbetet e përkushtuar në stabilitetin e rajonit të Ballkanit, si dhe në partneritetin me BeH. Për dy dekada me radhë NATO i ndihmon dhe e garanton stabilitetin dhe me të vërtetë e vlerësojmë partneritetin me BeH dhe kjo është e rëndësishme edhe për BeH-në edhe për NATO-n, pasi që partneriteti ynë është i ndërsjellë, tha Stoltenberg pas takimit me anëtarët e Kryesisë së BeH-së. Ai e përshëndeti progresin që BeH e ka realizuar në sferën e mbrojtjes, duke e përfshirë edhe miratimin e dokumentit Shqyrtimi i mbrojtjes, me të cilin definohet zhvillimi i Forcave të armatosura të BeH-së në periudhën e ardhshme. Stoltenberg ju bëri thirrje liderëve të Bosnjës që të angazhohen shtesë në këtë plan dhe t’i vazhdojnë reformat e filluara, duke e potencuar gatishmërinë e NATO-s për ta aktivizuar Planin veprues për anëtarësim (MAP) në BeH, menjëherë pas plotësimit të kushteve të domosdoshme. BeH është kandidate për anëtarësim në NATO dhe i keni instrumentet e nevojshme për progres në këtë plan. NATO është e gatshme për aktivizimin e MAP, por kur prona ushtarake do të evidentohet me reforma në sferën e sektorit të sigurisë, tha Stoltenberg. Ai shfaqi falënderim për pjesëmarrjen e BeH-së në misionin paqësor në Afganistan dhe për kontributin e vendit në luftën kundër terrorizmit.