Hapja e negociatave, Rama takohet me presidentin e Parlamentit gjerman
Kryeministri Edi Rama ka udhëtuar ditën e djeshme në Gjermani, ku pritet të takohet me kancelaren Angela Merkel.
Fillimisht kryeministri është takuar me Presidentin e Parlamentit gjerman, Wolfgang Schauble në Bundestag. Rama ka publikuar momentin e takimet me anë të një video të publikuar në rrjetin e tij social Facebook. Gjithashtu ai ka bërë urimin e mëngjesit në profilin e tij me një foto nga ceremonia e pritjes. Ndërsa edhe këshilltari i kryeministrit, Endri Fuga shpërndau foton nga momenti i mbërritjes së Ramës në Gjermani. “Një ceremoni vërtet mikpritëse për kryeministrin Edi Rama”, shkruan ai në Twitter. Në këtë vizitë, shefi i ekzekutivit shqiptar nuk është pritur nga kancelarja Merkel, por nga ambasadori i Shqipërisë Artur Kuko dhe një person tjetër. Vizita në Gjerman i paraprin vendimit të qershorit për çeljen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në BE.
Ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë, Romana Vlahutin lexon katër pika të progres-raportit të Komisionit ku vlerësohet Shqipëria.
“Shqipëria shihet si model në rajon për procesin në vazhdim të vettingut, së dyti për lëvizjet që janë bërë kur bëhet fjalë për sundimin e ligjit, së treti, marrëveshja 17 majit tregoi që polarizimi politik mund të tejkalohet në kohë kritike për vendin dhe së katërti përparimi i bisedimeve dypalëshe me Greqinë”, tha ajo.
Duke folur në Komisionin e Integrimit, kryediplomatja e BE-së në Tiranë thotë se reformat dhe thellimi i tyre duhet të vazhdojë.
Megjithatë, ambasadorja paralajmëroi se sfidat që mbeten përpara janë akoma më të mëdha. Ajo përmendi zbatimin e ligjit antimafia, një ligj për financimin e partive politike, por kryesore mbetet ndëshkimi i korrupsionit në nivele të larta.
“Numri i ndjekjeve penale mbetet ende i ulët dhe kjo duhet të përmirësohet dhe kjo do të ndodhë kur të kemi SPAK-un dhe kur një pjesë e gjyqësorit të jetë rivlerësuar. Komisioni do të shohë me kujdes ndjekjet penale dhe dënimet për korrupsionin dhe kjo do të kërkojë një përpjekje të madhe”, deklaroi Vlahutin.