BE Maqedonisë: Veproni përtej pikëpamjeve politike në çështjen e emrit
Shefja për Politikë të Jashtme në Bashkimin Evropian, Federica Mogherini dhe Komisioneri, Johannes Hahn kanë thënë përmes një deklarateje të përbashkët, se mbështesin plotësisht Maqedoninë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian, pas mbajtjes së referendumit për emrin në këtë shtet më 30 shtator.
Duke e cilësuar këtë proces si “mundësi historike për arritjen e pajtueshmërisë në rajon”, ata kanë thënë se tani procedurat kalojnë në dorën e parlamentit të këtij shteti, për të zbatuar Marrëveshjen e Prespës, duke bërë ndryshimet e nevojshme kushtetuese.
“U takon aktorëve politikë dhe atyre institucionalë që të veprojnë sipas përgjegjësive të tyre kushtetuese dhe përtej pikëpamjeve politike. Bashkimi Evropian do të vazhdojë të mbështesë këtë shtet, institucionet dhe qytetarët e tij”, është thënë ndër të tjera në deklaratë.
Sipas të dhënave të fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në votim për referendumin kanë dalë 661.393 votues ose 36.87 përqind e trupit të përgjithshëm zgjedhor.
Prej tyre, 605.016 ose 91.48 përqind kanë votuar “për”, 37.312 ose 5.64 kanë votuar “kundër” derisa 2.88 përqind janë cilësuar si fletëvotime të pavlefshme.