Protesta para Parlamentit, lëndohen efektivët. Mes tyre, zv.drejtori i Tiranës
Tensionimi i situatës në protestën që po zhvillohet para Kuvendit të Shqipërisë nga banorët e zonës së “Astirit”, kur këta të fundit tentuan të hynin me forcë në Parlament gjatë kohës që atje po mbante fjalën e tij kryeministri Rama, ka sjellë edhe plagosjen e disa efektivëve të policisë.
Mes atyre që janë plagosur lehtë gjatë përleshjeve është edhe zv.drejtori i Policisë së Tiranës, Dhimitraq Ziu.
Protestuesit kërkojnë dëmshpërblim për prishjen e banesave apo bizneseve të tyre, të prekura nga projekti i rikonstruksionit të Unazës së madhe të Tiranës, në aksin nga “Pallati me shigjeta” deri te sheshi “Shqiponja”.
Protesta e banorëve është parashikuar të nisë në orën 10:00 atëherë kur është caktuar të nisë dhe seanca parlamentare. Në ditën e 19, ata protestojnë kundër projektit të zgjerimit të rrugës së Unazës së Madhe që do tu kushtojë atyre prishjen e banesave apo bizneseve. Ata kërkojnë dëmshpërblim të drejtë. Protesta mbështet edhe nga opozita. Një ditë më parë, deputeti Klevis Balliu i bëri thirrje policisë të mos provokojë, por tu bashkohet qytetarëve. Ndërkohë 6 banorë janë çuar në ndjekje penale nga policia bashkiake për trazirat e shkaktuara dhe bllokimit të trafikut në atë zonë.
Por kryeministri Rama është shprehur se s'ka asnjë shans që paligjshmëria të dëmshpërblehet.
"Mirëmëngjes, dhe me këtë pasqyrë sqaruese të situatës ligjore në Unazën e Re, ku ndër ata që e quajnë veten në "proces legalizimi", janë shfaqur edhe një kategori e panjohur më parë e zaptuesve profesionistë të trojeve publike a private, ju siguroj se s'ka asnjë shans që paligjshmëria të dëmshpërblehet me taksat tuaja dhe ju uroj një ditë të mbarë"
Banorët kërkojnë që të bëhen kontrolle mbi zgjerimin e projektit të rrugës, sepse ata dyshojnë që po bëhen abuzime e korrupsion.
Ndërkohë Rama ka publikuar videon ku informohet se në listën e pronareve që kanë ndërtime pa leje rezultojnë edhe persona që kanë deri në 7 ndërtime të ngjashme në qytete të ndryshme të vendit dhe nuk janë aspak të pastrehë. (Oranews)