Protesta në Beograd, mijëra qytetarë kërkojnë rrëzimin e qeverisë
(last modified Sun, 09 Dec 2018 18:04:17 GMT )
Dhjetor 09, 2018 19:04 Europe/Tirane
  • Protesta në Beograd, mijëra qytetarë kërkojnë rrëzimin e qeverisë

Mbrëmjen e së shtunës rrugët e Beogradit u mbushën me mijëra protestues, të cilët u shprehën kundër dhunës politike në Serbi.

Protestuesit kanë bërë thirrje kundër qeverisë dhe presidentit të vendit. Marshi protestues u zhvillua me moton “Ndaloni gjakderdhjen në këmisha”, duke iu referuar rrahjes së disa anëtarëve opozitarë disa javë më parë. Në protestë ishin prezent liderët opozitarë të Serbisë, Nikolla Jovanoviq, Miroslav Aleksiq, Boshko Obradoviq, Zoran Lutovac, Radosllav Milojiçiq dhe Janko Veselinoviq. Opozita e bashkuar serbe tha se ky është vetëm fillimi dhe ftoi qytetarët e pakënaqur që të bëhen pjesë e ecjeve jopartiake të organizuar kundër dhunës që po e bën qeveria aktuale. Të pajisur me pankarta me mbishkrimet “Stop këmishave të përgjakura”, “Për sundimin e ligjit dhe drejtësinë”, “Kundër terrorizmit të pushtetit” dhe “Europë, përse hesht?”, protestuesit hodhën slogane antiqeveritare. Në protestë s’kishte simbole partiake dhe në të morën pjesë studentë, qytetarë, të persekutuar, sindikata, lëvizje lokale dhe opozita. Për shkak të kësaj proteste, e cila u mbështet edhe nga mjaft liderë opozitarë, shumë rrugë të Beogradit u mbyllën për trafikun e makinave. Marshimi protestues u mbajt nën masa të forta sigurie dhe ai përfundoi pa incidente.