Vuçiç i quan protestuesit huliganë dhe fajëson Haradinajn
Pas 15 javë protestash paqësore, demonstruesit serbë e ashpërsuan të shtunën mbrëma aksionin e tyre antiqeveritar dhe kundër presidentit Aleksandër Vuçiç, duke hyrë me dhunë në ambientet e Radiotelevizionit Publik.
Vuçiç i cilësoi protestuesit huliganë ndërsa tha të dielën se personat e përfshirë në ngjarje do të ndiqen penalisht. Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ka premtuar ndëshkim ligjor për protestuesit që hynë me dhunë të shtunën në mbrëmje në ambientet e televizionit publik, "RTS". Kreu i Serbisë i cilësoi qytetarët e përfshirë në incident një bandë fashistësh dhe huliganësh, që sipas tij, veprojnë edhe me urdhra të Prishtinës, dhe përkatësisht të kryeministrit Ramush Haradinaj, për ta hequr nga pushteti. " Kur Haradinaj tha se do të më rrëzojë nga qeveria, mendova se po bën numra. Tani e shoh se ai ka bashkëpunëtorët e tij këtu mes nesh, ca fashistë të vegjël që mendojnë se me dhunë mund të arrijnë diçka. Liderët fashistë, huliganë dhe hajdutë të opozitës nuk mund ta caktojnë fatin e vendit me 1 mijë mbështetësit e tyre. Serbia është një vend demokratik, dhe do i lutesha qytetarëve të mos bëhen pjesë e dhunës, sepse të gjithë do të përgjigjen para ligjit", deklaroi presidenti serb.