Sami Frashëri / V E P R A 9 (Pjesa e tretë)
Titulli i origjinalit:Ch. Samy-Bey FrascheryKÂMÛS AL-A’LÂMShënimKëtë vepër e botojmë me numrin rendor 9 për ta ruajtur vazhdimsinë e veprave të Sami Frashërit të botuara në Shtëpinë botuese Rilindja në Prishtinë.E falënderojmë përzemërisht Redaksinë e botimeve të Rilindjes për pëlqimin e dhënë dhe për mirëkuptim nga botuesi.
AMUXHA-ZADE HYSEJN PASHA
Është nga vezirët e Perandorisë osmane që mori gradën e krye-ministrit (sadriazem) në kohën e Sullan Mustafa Hanit të Dytë. Është pra, djali i mixhës së Qyprili-zade Fazil Ahmed Pashës, i cili ishte sadriazem pas Qyprili Mehmed Pashës. Për këtë arsye njihet me këtë ofiq . Edhe pse jetonte mirë kur ishte në pozita të larta shtetërore (sadriazem) mixha dhe djali i mixhës së tij dhe, edhe pse jetonte në kushte ideale në ditët e Maktul Mustafa Pashës , pas disfatës së Vienës që ndodhi më 1095/1683 i ra autoriteti dhe, duke u caktuar në ejaletin e Zevrit dhe në muhafezllëkun e Çardakut, qe larguar. Në vitin 1100/1688, duke u shpërblyer me gradën e vezirit, u caktua muhafiz në muhafezllëkun e Seddulbahrit dhe më 1102/1690, pasi qe caktuar kajmekam në Asitane, më 1105/1693 u internua në Sed-dulbahër. Më 1106/1694 duke marrë gradën e kapedanit (Kapudan), tregoi guxim dhe shërbim të mirë në pushtimin e Sakëzit. Pasi një kohë u përpoq lart t’i kthejë rregullin dhe paqën siujdhesës së përmendur më lart, për të dytën herë bëhet kajmekam i Asitanes dhe komandant i ekspeditës; poashtu iu besua detyra muhafiz i Beogradit. Më 1109/1697, kur u tërhoq për në Edrene, ishte në pozitë të lartë (sadriazem). Sido që të jetë, edhe pse i kishe filluar bisedimet për marrëveshje paqësore përmes delegatit anglez, të cilat, meqë nuk dhanë rezultate, tuboi dhe përgatiti ushtarët në Vefire dhe qe kthyer në Beograd. Pastaj, pasi nënshkruan marrëveshjen kthehet në Stamboll . Pas shërbimit të tij 5 vjeçar në postin e sadriazemit me mençuri e me drejtësi të plotë, për shkak të sëmundjes së rëndë që e kapi, më 1114/1702 kërkoi të lirohet nga detyra. U pensionua dhe, duke jetuar në çiflikun në afërsi të Silivrit, po në këtë vit vdiq. Kufomën ia patën dërguar në Stamboll. E varrosën në tyrben (mauzoleun) e posaçëm që e kishin përatitur afër Dar-ul-Hadithit të ndërtuar në lagjen e saraçëve. Edhe pse ishte një ministër i drejtë dhe i mençur, meqë ishte i dhënë pas dëfrimeve dhe kënaqësive, punët kryesore i pat lënë në duart e ministrit të punëve të jashtme, Rami efendiut .
AQIF MEHMED PASHA
Ishte nga vezirët eminentë të Perandorisë Osmane. Rrjedh nga një familje e shquar tetovare, e cila është një familje e vjetër dhe e njohur në Shqipëri. Stërgjyshi i tij Rexhep Pasha kishte prejardhje lumjane, i cili një kohë shërbeu si vali në Selanik. U vra në frontin e Iranit, në kohën e Sulltan Ahmed Hanit. Edhe babai, Rexhep Pasha-zade Velijudin Hilmi beu në ndërkohë u vra në More . Familja e tij ka afërsi me familjen e Pejës .Aqif Mehmed Pasha lindi në kasabanë e Tetovës në vitin 1238/1822. Pas vdekjes së t’et, shkoi te mixha i vet Ali Hifzi Pasha, i cili ishte vali i Shkupit. Aty u edukua dhe u shkollua. Pas kryengritjeve që u paraqitën në Shqipëri në fund të kohës së Sulltan Mahmud Hanit II, mixhallarët e tij Abdurrahmanin, Hifziun dhe Hasanin, me gjithë familje i detyruan të shpërngulen nga aty (nga Tetova dhe Shkupi – M.P.) dhe për disa vite i vendosën në vende të ndryshme të Anadollit. Mirëpo, disa vjet pas ardhjes së Sulltan Abdulmexhidit në fron, i solli në Stamboll. Në vitin 1265/1848 , me kënaqësi të madhe, me titullin haxhegjan, e emëruan sekretar në Kabinetin ministror. Pastaj, qe shpërblyer me gradën vezir i tretë dhe me një pjesë xhevahiri (gur i çmueshëm). Më pastaj, në luftën e Malit të Zi, bashkë me serdar Ekrem Omer Pashën, tregoi trimëri dhe aftësi të jashtëzakonshme. Kështu, aftësia dhe talenti i tij i jashtëzakonshëm shkencor, nga njëra anë dhe ai politik, nga ana tjetër, tërhoqën vëmendjen dhe kujdesin e Reshid Pashës. Në vitin 1269/1852 përsëri me gradën mirmiran, emërohet mytesarrif në ejaletin e Shkupit, e pastaj bejlerbe i Rumelisë. Në vitin 1275/1858 , me gradën e vezirit emërohet vali i Bosnjës. Që nga kjo kohë shërbeu si veli në disa ejalete e pastaj vilajete: në vilajetin e Danubit , Edrenesë, Bagdadit, Konjës, Vanit, Xhezair Bahri Sefidit , nga një herë; në vilajetin e Prizrenit dhe Janinës, nga dy herë; në vilajetin e Selanikut dhe Bosnjës, nga tri herë. Në kohën e Sulltan Abdulaziz Hanit hyri në Kabinetin ministror për çështje të drejtësisë. Ndërkaq, në kohën e sulltanatit të Abdulhamidit dy herë u zgjodh kryetar në Këshillin e Lartë shtetëror. Në vitet e fundit të jetës, duke qenë në-punës në vilajetin e Xhezairi Bahri Sefidit, kërkoi të lirohet nga obligimet dhe detyrat. Një kohë pas kthyerjes në Stamboll, më 1311/1893, në moshën 73 vjeçare vdiq. U varros në oborrin e tyrbes (mauzoleut) së Fatih Sulltan Mehmed Hanit.Aqif Mehmed Pasha ishte njohës i shkëlqyeshëm i letërsive orientale. Ashtu siç kishte aftësi të jashtëzakonshme për të thurur poezi dhe për të shkruar shkrime të ndryshme në të tri gjuhët orientale (turke, arabe, persiane – M.P.), dinte të flasë bukur gjuhën amtare (gjuhën shqipe – M.P.) dhe gjuhën greke, po ashtu kishte aftësi të shkruajë edhe në gjuhën frënge.Ishte personaltiet që shquhej për sjellje të mirë e moral, për fisnikëri e bujari, për drejtësi e trimëri, e njëkohësisht kishte afinitet për letërsi.Nga djali i tij i madh, Salih Rashid beu , i cili, poashtu, ishte nga letrarët e talentuar të kohës dhe anëtar i Këshillit të Lartë të Shtetit, ka informacione se ai (Aqif Mehmed Pasha – M.P.) ka lënë disa vepra të ruajtura që kanë të bëjnë me letërsi. Këto dy tri bejte të nxjerrura nga një gazel i njohur i tij, janë dëshmi që tregojnë për aftësitë e tij letrare në gjuhën persiane .
ARABAXHI ALI PASHA
Është nga vezirët që arriti postin e sadriazemit në kohën e Sulltan Ahmed Han-it të Dytë. Ishte nga Ohri. Në fillim ishte i angazhuar si imam dhe kadi në disa krahina. Ishte i njohur si Ali Hoxha, mirëpo, më vonë, duke ndryshuar veshjen (qëndrimet), hyri në shërbim të Koxha Halil Pashës. Duke qenë anëtar në ministrinë e Ibrahim Pashës në Edrene, i bashkangjitet Qyprili-zade Mustafa Pashës, i cili ishte muhafiz në Baba-Dag, ku më vonë u bë ket-huda. Në ministrinë e të sipërpërmendurit mbeti një kohë të konsiderueshme në këtë funksion. Më 1101/1689 arriti të bëhet aga i bektashive; më 1102/1690 u bë kajmekam i oborrit të sulltanit; më 1103/1691, me dëshminë (dokumentin) e Qyprili-zade Mustafa Pashës, kaloi në postin e vezirit të madh (sadriazem). Pasi që në këtë funksion qëndroi gjashtë muaj, për shkak të veprimeve jo të mira, u dëbua për në Rodos. Pas një viti në siujdhesën e sipërpërmendur, u dënua me vdekje. Meqë në kohën e tij si vezir i madh u bë adet që njerëzit që i dëbonin t’i çojnë me karrocë (turq. araba), këtij iu dha ofiqi arabaxhi .
ARSLLAN PASHA
Ishte nga vezirët e kohës së Sullan Mehmed Hanit III. Meqë ishte nga rrethina e Janinës, në vitin 1190/1776 u bë vali i Janinës. Deri në vitin 1203/1788 kur Ali Pashë Tepelena emërohet vali i Janinës, vilajeti i Janinës ekskluzivisht qeverisej me gjeneratën e tij. Në anën veri-lindore të kalasë së Janinës, në një vend më të lartë, të dukshëm dhe shumë të bukur që dilte në liqe, Arsllan Pasha ndërtoi një xhami ideale, të përsosur, e cila është e njohur me emrin Xhamia e Arsllan Pashës (=turq. Arslan Pasha Camii). Në afërsi të xhamisë kishte disa medrese dhe një falëtore (tempull) të sektit nakshibendi. Aty gjenden varret, që në ato anë u thonë të shenjta, të shejhave të këtij tempulli; të shejh Ali efendiut dhe pasardhësve të tij, shejh Jusufit dhe shejh Abidin efendiut si dhe tyrbja e shejh Sulejmanit nga Leskoviku, i cili është poet shqiptar. Para pushtimit, në vend të kësaj xhamie kishte një manastir me emrin “Aj Jani” ashtu që sipas kësaj edhe qytetit të Janinës i është dhënë emri Janja ose thënë më drejt Janina. Bejlerët e qytetit të Janinës janë pasardhës të këtij Arsllan Pashës. Në mes pasardhësve që qeverisnin në Janinë ishin edhe disa personalitete të tjera të quajtur Arsllan Pasha dhe Arsllan beg .
AZMI
Nga poetët e Perandorisë Osmane të shekullit të dhjetë sipas hixhretit janë dy personalitete me këtë pseudonim:I pari (Mustafa -) është prishtinas. Është vëllai i vogël i Luhit dhe Nuhit. Vëllai i tij Nuhiu u bë reis-ul-kuttabi (sekretar gjeneral) në sanxhakun e Shehzade Sulltan Mehmed bin Murat hanit III , kurse ky, biografia e të cilit po shkruhet këtu, u bë matbah katibi (shef kuzhine). Kur vdiq Shehzadea i lartpërmendur, ky u pensionua dhe deri sa vdiq jetoi i kënaqur dhe i lumtur .
BAJAZIT PASHA
Ishte nga njerëzit e besueshëm të Jëlldërëm Sulltan Bajazit Hanit. Është shqiptar. Kur padishahu i lartpërmendur u zu rob në luftën me Timurlengun, Bajazit Pasha u interesua ta shpëtojë nga dora e tatarëve Shehzade Çelebi Sulltan Mehmedin (djali i Jëlldërëm Sulltan Bajazitit – M.P.) që gjendej në internim dhe që ende ishte në moshën 15 vjeçare. Këtë e bëri me shumë vështirësi dhe mundime, sipas një interpretimi, vishej si lypës. Shehzaden gjithnjë e merrte pas vetes dhe shëndoshë e mirë e solli në kalanë e Amasijes. Kështu e pat shpëtuar prej rrezikut. Lartëmadhëria e tij Sulltan Mehmed Hani e çmoi sinqeritetin dhe besnikërinë, e tij, prandaj, duke e nderuar me gradën e vezirit, gjatë kohës së sulltanatit të vet e mori dhe e angazhoi si këshilltar të lartë. Gjithnjë e mbante pranë vetes. Sado që Izmirogllu Xhunejdi më parë i kishte premtuar se do të ia jepte vajzën këtij, nuk ia dha, por ia dha një shqiptari tjetër që quhej Abdullah, prandaj, Bajazit Pasha, i hidhëruar në këtë, në luftën që e bëri me Izmirogllu Xhunejdin, e zuri rob Abdullahun e sipërpërmendur dhe në shenjë hakmarrjeje, e tredhi. Edhe në një luftë që e bëri kundër Karamanogllit, doli ngadhnjyes. Padishahut i patë bërë shumë shërbime. Kur padishahu ishte i angazhuar me disa pushtime në anët e Selanikut, në anët e Ajdënit, një person me emrin Borklyxhe Mustafa organizoi kryengritje duke thirrë në ndihmë edhe të krishterët . Bajazit Pasha dhe Shehzade Sulltan Murat Hani u angazhuan në largimin dhe zhdukjen e të përmendurit. Edhe këtë herë patën sukses, ashtu që Borklyxhe Mustafain dhe bashkëmen-dimtarët e tij i eliminuan. Në vitin 824/1421, me vdekjen e Sulltan Mehmedit në Edrene, Bajazit Pasha në marrëveshje me sadriazem Ibrahim Pashën, e sollën Murat Hanin nga Amasja në Brusë dhe derisa hypi në fron ky (Sulltan Murati – M.P.), ia dolën ta mbajnë të fshehur vdekjen e tij. E paralajmëruan për rreziqet që mund t’i ndodhnin atij (Sulltan Muratit – M.P,) .Edhe Hydavendigjari e nderoi dhe e respektoi Bajazit Pashën. E emëroi serdar (kryekomandant) kundër Dyzme Mustafait , i cili u paraqit në anët e Selanikut në vitin 825/1421. Në luftën që ndodhi në lumin Sazli (Sazli-dere) në afërsi të Edrenes ushtria e tij u kthye në anën e e Dyzme Mustafait. Në këtë luftë u mund dhe u zu rob; iu dorëzua Xhynejdit i cili kaloi në pushtet, e ky, për të marrë hakun e dhëndrrit të tij, e vrau atë (Bajazit Pashën – M.P.). Në këtë luftë mori pjesë edhe vëllai i Bajazitit, Hamzai. Pasi edhe këtë e zunë rob, e liruan më pastaj. Më vonë ky, gjatë shërbimeve që i bëri në shtet, fjala është për shtetin (Osman – M.P.), gjeti rastin dhe e vrau Xhu-nej-din dhe kështu e mori hakun e vëllait .
BALLABAN BEU
Është nga personalitet e kohës së Ebu-l-Feth Sulltan Mehmed Hanit. Ishte me origjinë shqiptare. Si fëmijë u zu rob. U edukua në pallatet e Sulltanit. E pranoi fenë e respektuar islame. Ishte ndër më të parët që u hodh në sulm me rastin e pushtimit të Stambollit. Prandaj, i ra në sy për të mirë padishahut. Në vitin 870/1465 u dërgua në Shqipëri me 15 mijë kalorës dhe me 3 mijë ushtarë këmbësorë kundër Skënderbeut. Fitoi në betejën në afërsi të Dibrës. E zuri rob Mojsiun, njërin nga shokët më të guximshëm të Skënderbeut dhe gjashtë persona të tjerë nga krerët e tij. Pasi i dërgoi në Stamboll, u tërhoq në Ohër. E dërgoi në ndihmë një shqiptar me emrin Jakup. Derisa e pushtonin Beratin, Skënderbeu nuk u la kohë për konsolidim, por menjëherë i shtypi dhe i theu forcat e tij dhe Jakupin e vrau. Për këtë shkak Sulltani ia mësyu personalisht dhe me një fuqi të madhe. Pasi e rrethoi një kohë bukur të gjatë Krujën (d.m.th, Akça Hisarin) që ishte qendër e Skënderbeut, u kthye, kurse rrethimin e Krujës ia besoi Ballabanit.Skënderbeu një natë doli nga kalaja dhe e kapi vëllanë e tij Junus beun dhe djalin e tij Hazar beun, të cilët i erdhën në ndihmë Ballabanit, Kur nga pjesa e sipërme e kalasë ia tregoi të lidhur, Ballabani nuk mundi të durojë dhe u vërsul në kala. Në këtë sulm u qëllua dhe vdiq .
BOGDANI
Ishte ipeshkv i katolikëve në Shqipëri para katër qind vjetësh . Ka shkruar një libër të madh në gjuhën shqipe në të cilin shtjellon çështje fetare dhe një poemë përkitazi me fjalime dhe këshilla. Këto dy libra së bashku me veprat e një ipeshkvi tjetër me emrin Budi , meqë janë shkruar me një gjuhë shumë të pastër dhe letrare, mund të numërohen dhe të konsiderohen si bazë letrare e gjuhë së përmendur. Disa herë janë botuar në Romë .
BUSHATLINJTË
Është një familje e cila, duke trashëguar njëri tjetrin, ka qeverisur vilajetin e Shkodrës, pjesën më të madhe të Gegërisë, që nga vitet e para të shekullit të dymbëdhjetë e deri në vitet e para të shekullit të trembëdhjetë sipas hixhretit , d.m.th. rreth njëqind vjet . Theme-luesi i kësaj dinastie Mehmed Pasha , ishte nga bejlerët e fshatit Bushat. U shpërngul për në Shkodër. Me aftësitë dhe dredhitë e tij fitoi autoritet të madh. I shtiu në dorë (i përfitoi) të gjithë valitë e Shkodrës dhe në fund ia arriti që t’i shtijë ata ta njohin atë për vali. Pasi u bë vali, armiqtë dhe shokët e tij, që në një mënyrë do të bëheshin rivalë të tij, i eliminoi dhe kështu fitoi fuqi të madhe. Gjatë luftës së Rusisë në ishullin e Moresë, nga ana e Portës së Lartë kundër bejlerëve të Toskërisë, të cilët ishin të padëgjueshëm në disa veprime të tyre, u dërgua Mustafa Pasha, djali i madh i Mehmed Pashës. Mirëpo, meqë edhe ushtria e tij veproi në mënyrë të njëjtë, këtë e mbytën me helm. Atëbotë vdiq edhe Mehmed Pasha. Tani vali i Shkodrës bëhet Mahmud Pasha, djali i dytë i tij (i Mehmed Pashës – M.P.) i njohur me emrin Kara Mahmud Pasha . Ishte trim i madh, i kujdesshëm dhe i aftë. Sado që i bëri shërbime të mëdha Shtetit Osman në More dhe në Mal të Zi, e pastaj, edhe në disa vende me të cilat kishte marrëdhënie shtetërore, siç ishin Republika e Venedikut dhe Austria, iu shmang. Meqë me kokë të vetë hyri në Mal të Zi dhe e sulmoi këtë vend disa herë dhe, meqë nuk u pajtua me urdhërat dhe rekomandimet që iu dhanë nga ana e Portës së Lartë, për ta bindur këtë, u dërgua një ushtri. Mirëpo, meqë ngadhnjente, edhe më tutje vazhdonte t’i realizojë qëndrimet e veta. Për kërkesën e tij për pavarësi nxitej edhe nga ana e Austrisë dhe Venedikut. Këto qëllime u kuptuan nga ana e Portës së Lartë, prandaj, kundër tij u dërgua një ushtri nën komandën e Ali Pashë Tepelenës dhe pashallarëve të tjerë. Edhe pse u rrethua në Shkodër, nga qëndrimet dhe sjellejt e tyre korrekte, pati dobi (shfrytëzoi) dhe, kështu, përsëri shpëtoi. Dy shtetet e përmendura e përshëndetën dhe e uruan për këtë fitore dhe njëkohësisht e nxitin edhe më tutje. Mirëpo, duke kuptuar më vonë se qëllimet e këtyre shteteve shkonin në dëm të popullatës muslimane, i likuidoi delegatët që i dërgoi së fundi Austria. Letrat dhe dhuratat e veta ia patë dërguar Portës së Lartë. U thye në njërin nga sulmet që deshi ta nënshtrojë Malin e Zi. U vra në fushëbetejë. Vëllai i tij Ahmed Pasha, i cili ishte pas tij, u kap nga ana e komandantëve të Rumelisë gjatë kësaj kryengritjeje dhe, meqë u dënua me vdekje, vali i Shkodrës u bë vëllai i tij i vogël, Ibrahim Pasha. Ky personalitet, duke treguar besnikëri dhe dëgjueshmëri të plotë në kryerjen e punëve të Shtetit Osman, i bëri shërbime të mëdha shtetit në zhdukjen dhe shpartallimin e kryengritësve dhe disa bandave plaçkitëse. Meqë nuk la fëmijë kur vdiq, vali i Shkodrës u bë Mustafa Pasha, djali i Kara Mahmud Pashës. Edhe ky, duke kërkuar pavarësi, shkonte hapave të babait të vet. Për këtë. nxitej nga ana e Rusisë përmes Milloshit të Serbisë. Në këtë kohë filloi lufta ruso-turke. Nga thyerja dhe angazhimi i Shtetit Osman në këtë luftë përfitoi dhe shkoi përpara deri në Sofje dhe Pllovdiv . Gjatë udhëtimit rrënoi gjithçka. Për shkak të sistemit të ri (Nizam-i Xhedid) , Mustafa Pasha ishte i pakënaqur, por të pakënaqur ishin edhe bejlerët e tjerë, prandaj iu përgjigjën thirrjes së tij. Këtë herë, ndërkaq, marrja dhe ekzekutimi i Ali Pashë Tepelenës e shqetësoi, prandaj u hutua dhe u trondit. Përsëri, duke iu nënshtruar nxitjeve, me 30-40 mijë shqiptarë shkoi deri në Prilep, mirëpo, veziri i madh Reshid Pasha që gjendej në Manastir i ktheu bejlerët shqiptarë në anën e Shtetit Perandorak. Me një pjesë të ushtrisë së rregullt dhe me ushtarët toskë, menjëherë e theu ushtrinë e Mustafa Pashës. Pasi humbi betejën, Mustafa Pasha iku në Shkodër. Edhe pse u mbyll në kështjellë (kala) më në fund qe i shtrënguar të dorëzohet. U dërgua në Stamboll dhe u fal nga ana e Sulltan Mahmudit. I caktoi një rrogë dhe e emëroi vali në Ajdën dhe në disa viljate të tjera. Shërbeu në Shtetin Osman deri sa vdqi. Hasan Pasha i cili tani (lexo në kohën e Sami Frashërit – M.P.) është vali i Halepit dhe Riza beu që është anëtar i Këshillit shtetëror janë të këtij personi (Mustafa Pashës – M.P.) .
DAUT PASHA
Është nga vezirët që arriti në ministri në kohën e Sulltan Bajazit Hanit II. Është me origjinë shqiptare. Kur ishte fëmijë u zu rob. Pas pranimit të rrugë së drejtë (pas pranimit të fesë islame – M.P.) dhe, për shkak të talentit të tij të lindur, duke marrë gradë pas grade, në kohën e sulltanatit të Ebul-Fet’h Sulltan Mehmed Hanit II u bë bejlerbe i Rumelisë. U gjend në disa shërbime (detyra) të rëndësishme, si p.sh. me rastin e rrethimit të Shkodrës. Në vitin 888/1483, në kohën e Sulltan Bajazit Hanit, duke qenë bejlberbe i Anadollit, kaloi në postin e vezirit të madh pas Ishak Pashës dhe kështu 14 vjet me sukses i udhëhoqi punët e rëndësishme të shtetit Osman. E drejtoi ushtrinë kundër Karamanit dhe pati sukses në shuarjen e kryengritjes që u paraqit atje. Në vitin 902/1496 u largua dhe u tërhoq të jetojë në qetësi në Dimotikë , duke marrë një pension të plotë dhe të mjaftueshëm. Pas dy vitesh aty vdiq. Kufomën ia dërguan në Stamboll. E varrosën në tyrben e posaçme para mihrabit të xhamisë që ishte ndërtuar për të. Ishte një vezir i cili i donte dijetarët, fetar i madh dhe intelegjent. Në Stamboll, në lagjen e pagëzuar me emër të tij ka ndërtuar xhami sherif, medrese, mekteb, çeshme dhe imaret-hane. Kësi lloj të mirash materiale ka lënë edhe në disa vende të tjera. Edhe fushës jashtë Stambollit, ku dikur fillonin aksionet e ushtrisë osmane për në drejtim të Rumelisë, i është dhënë emri i tij, madje edhe kazerma që gjendet sot (lexo në kohën e Samiut – M.P.) në vendin e përmendur e mban emrin e tij .
DORA D’ISTRIA
(Elena Gjika)Ishte një zonjë shumë e zgjuar për shkencë dhe arsim dhe shumë e njohur me studime shkencore. Rrjedh nga familja Gjika e cila ishte një familje princash në Vllahi-në Rumani. Emri i vërtetë i saj është Elena Gjika. Në shkrimet e veta nënshkruhej me pseudonimin, pra, Dora d’Istria. Është fëmija i vëllait të Aleksandër Gjikës, princ i Vllahisë, vajza e Mihal Gjikës. Lindi në Bukuresht në vitin 1829. Pasi i mbaroi mësimet universitare, një kohë bukur të gjatë shëtiti nëpër Gjermani, Zvicër, Itali, Belgjikë dhe në vende të tjera të Evropës dhe, duke qëndruar më gjatë në disa vende, pati mundësi t’i zgjerojë dituritë e veta. Përveç gjuhëve të vjetra: greqishtes së vjetër dhe latinishtes, i mësoi edhe të gjitha gjuhët e reja të Evropës. Që nga mosha pesëmbëdhjetëvjeçare, në gjuhën gjermane e përktheu poemën e njohur “Iliada” të Homerit. Ka shkruar edhe një varg broshurash teatrale. Aq sa ishte e mirë dhe e bukur, po aq ishte e dijshme dhe e mençme. Në vitin 1849 u martua me Kolçof Masoliskin, një nga princat e Rusisë, mirëpo, dëshira e flaktë që e kishte për hulumtime shkencore dhe letrare e shqetësonin të jetojë nën sundimin e një burri, prandaj, pa kaluar shumë kohë, u nda prej tij. Përsëri ia mësyu botës. Më në fund vendosi të jetojë në Firencë. Ka shkruar, për shembull, një vepër shumë të çmueshme në dy vëllime, me titull “¼arkda Kad¢nlar” (Gratë në Lindje); një libër tjetër të rëndësishëm me titull “Kad¢nlar Hakk¢nda bir Kad¢n¢n Mutalaati” (Mendimet dhe studimet e një gruaje për gratë) si dhe shumë shkrime të tjera, shumicën e të cilave i ka shkruar në gjuhën frënge dhe në gjuhën italiane. Çdonjëri prej këtyre shkrimeve janë dëshmi e vërtetë për të arriturat e saj shkencore. Ka shkruar shumë artikuj të fortë shkencorë dhe letrarë në revistat e kohës që dilnin në Itali dhe Francë; më së shumti i botonte në revistën e njohur shkencore dhe letrare Revue des deux mondes.Duke mos harruar se familja Gjika është një familje shqiptare, ajo botoi shumë artikuj përkitazi për gjendjen, karakterin, moralin dhe krenarinë e popullit shqiptar. Është pranuar anëtare e akademisë nga ana e shumë akademive, madje, edhe pse disa akademi nuk i pranonin gratë, për këtë, biografia e së cilës po shkruhet këtu, duke bërë përjashtim, i prishën principet dhe rregullat e tyre. Ajo thirrej edhe nga shoqatat shkencore që formoheshin madje edhe në Amerikë. Vdiq në vitin 1890 në Firencë. Kishte talent e shkathtësi edhe në pikturë .
DUKAGJIN – ZADE AHMED BEU
Është nga poetët e shekullit të dhjetë . Edhe ky është nga trashëgimtarët e princave të Dukagjinit. Edhe pse kishte një zeamet (timar të madh) të vlefshëm, qe i shtrënguar të tërhiqet në vetmi në një teqe të lënë pas dore. Ka shkruar poezi me tematikë për varfërinë, skamjen dhe tesavvufin .
DUKAGJIN – ZADE MEHMED PASHA
Është nga vezirët e kohës së Sulltan Selim Hanit dhe të kohës së Sulltan Sulejman Ligjëdhënësit (turq. Kanuni Sulltan Sulejman.) Është më i mbrami djalë nga princat e Dukagjinit. Ishte nga ata që më së shumti i shërbeu Sulltan Selimit. Ishte dhëndri i padishahut të lartpërmendur (Sulltan Selimit – M.P.) Pas një kohe shërbeu si vali në Halep , e më pastaj në Egjipt. Në vitin 962/1554 u largua dhe u kthye në Stamboll, ku pas një kohe vdiq .
DUKAGJIN – ZADE OSMAN EFENDIU
Është nga ulematë (dijetarët) e kohës së Sulltan Muratit III. Është djali i Dukagjin-zade Mehmed Pashës. Më 1009/1600 ishte kadi i Stambollit. Me çështjen e kadilerëve u mor dy vjet. I mblodhi dhe i shkroi biografitë e kadilerëve të Stambollit me një rend alfabetik, ndërkaq në emër të padishahut të lartpërmendur pat shkruar një libër me titull “Ez-har-i Xhemail” (Lulet e bukura). Vdiq, si duket, pas vitit 1012/1603 .
FERHAT PASHA
Është nga vezirët (ministrat) që në kohën e Sulltan Mehmed Hanit III dy herë kaloi në postin e kryeministrit (sadriazemit). Është me origjinë shqiptare. Ka mësuar dhe është edukuar në oborrin mbretëror (Harem-i Hymajun). Pasi nga aty doli me gradën kapuxhi-bashë, në kohën e Sulltan Murat Han-it III së pari u bë mirahor e pastaj aga i jeniçerëve; më pastaj vali i Rumelisë. Me gradën vezir i katërt, hyri në kategorinë e vezirëve. Në ekspeditën ushtarake të Iranit që u hap në vitin 986/1578 shkoi si serdar (kryekomandant). Arriti të bëhet i famshëm për sukseset e tij. Duke lidhur marrëveshje dhe duke marrë me vete si peng djalin e vëllait të Shahut që ishte mirza (titull ushtarak në Iran) shumë i guximshëm, u kthye. Pas largimit të Sinan Pashës , më 999/1590 për të dytën herë u bë vezir i dytë dhe iu besua detyra e lartë shtetërore dhe me përgjegjësi (myhyri i sadrizaemit). Pasi i udhëhoqi punët shtetërore 8 muaj, e shkarkuan dhe e kthyen në detyrën e mëparshme. Në vitin 1003/1594, me ardhjen e Sulltan Mehmed Hanit III në fron, për të dytën herë bëhet vezir i madh (sadriazëm). Pastaj, kur u hap fronti i Vllahisë , ndërtoi urën mbi Danub. Në kohën kur ia filloi luftës, pa farë shkaku iku, duke mos pritur zëvendësimin. Erdhi në çiflikun e tij që e kishte në afërsi të Stambollit dhe aty u mëshef. Pas një kohe të shkurtër e paraqitën dhe e burgosën në Jedikule . e dënuan me vdekje dhe e varrosën në lagjen “Ebu Ejup Ensari”, Zoti e mëshiroftë! Si kryeministër (sadriazem) shërbeu, herën e parë 8, e herën e dytë 6 muaj, d.m.th. gjithsej 14 muaj. Ishte një personalitet trim, i drejtë dhe i fuqishëm, sidomos është i çmueshëm rezultati dhe shërbimi që e bëri në luftën e Iranit. Rivaliteti i Sinan Pashës ndaj tij, i cili ishte bashkëkombës i tij, i shkaktoi fatkeqësi dhe dëm .
FEVRI
(Mevlana Ahmed bin Abdullah)Ishte nga poetët e shekullit të dhjetë sipas hixhretit. Është me origjinë shqiptare. Kur ishte fëmijë ishte i krishterë, mirëpo, kur ra në duart e gazive (luftëtarë për përhapjen e fesë islame) dhe ashtu, duke rënë dorë në dorë, me talentin e tij natyror mësonte diturinë islame. Muhidin Arabiu , Zoti e mëshiroftë, kishte parë ëndërr që këtë (Fevriun – M.P.) e kishte borxh ta mësojë, prandaj e pati mësuar dhe udhëzuar drejt në fenë islame. Pasi i përvetësoi dituritë islame, u bë muderris dhe dha mësim në disa medrese. Pat shkuar edhe në ekspeditën e Nahxhevanit bashkë me Sulltan Sulejmanin. Në fund u bë myfti i Shamit (Damaskut), ku më 978/1570 vdiq. Shkruante poezi dhe krijime të tjera letrare. Merrej edhe me probleme shkencore. Ka shkruar librin “Dyrer Gyrer” (Margaritarët e shkëlqyeshëm) me komente e shpjegime në margjina të tij si dhe libra të tjerë mësimorë, poashtu me shpjegime. Ka shkruar poezi të bukura në të tri gjuhët islame . Ky është një personalitet që ka mbledhur dhe radhitur divanin e Kanuni Sulltan Sulejmanit. Ka lënë një divan (përmbledhje poezish) në gjuhën turke-osmane. Ja një bejt nga poezia e tij:Të vdekurit i lanë kujtimet nga kjo botëJanë shtri në shpinë dhe janë përgatitur .
GEDIK AHMET PASHA
Ishte nga vezirët e njohur të Perandorisë Osmane. Ishte trim i jashtëzakonshëm, guximtar, i mençur dhe i aftë . Në kohën e sulltanatit të Ebu-l-Fet’h Sulltan Mehmet Hanit shërbeu katër vjet në postin e kryeministrit (sadriazem). Ishte i sektit bektashian në oxha-kun (korpusin) e jeniçerëve. Meqë ishte shumë trim, së pari arriti gradën e bejlerbeut, e pastaj, të vezirit të madh. Fitoi simpatinë dhe dashurinë e Padishahut të vet. Në shumë luftëra ishte serdar (komandant suprem). Plotësisht i mundi dhe i shkatërroi kryengritësit e Karamanit. Ashtu si i pushtoi Silifken dhe Ermanikinë, poashtu u dallua me trimëri dhe aftësi edhe në ekspeditën ushtarake në Trabzon (Trapezunt). Në vitin 878/1473 u ngrit në gradën sadriazem (kryeministër) dhe, duke qenë në këtë post, me 300 anije dhe me flotën doli në Detin e Zi. E pushtoi dhe e nënshtroi Kaffanë që kishte rënë në duar e gjenovasve (italisht Genova – M.P.) si dhe Menku-hisarin dhe tërë bregdetin Azof deri në kufirin e Çerkistanit. Kështu, pati sukses të madh t’i zgjërojë kufijtë e Perandorisë Osmane në ato anë. Në vitin 882/1477 u emërua serdar për ta nënshtruar Iskenderinë e Shqipërisë (d.m.th. Shkodrën) . Sado që i paraqiti disa vërejtje rreth mospranimit të kësaj detyre, Padishahu për ato vërejtje që i paraqiti ai nuk deshi të dëgjojë dot, por në mënyrë kategorike i hodhi poshtë dhe këtë (Gedik Ahmet Pashën – M.P.) menjëherë e hoqi nga posti i vezirit të madh dhe e burgosi në kalanë e Bogaz – kessit (d.m.th. në Anadoll-hisar) . Mirëpo më vonë, duke e kuptuar Padishahu të vërtetën se pse nuk u pajtua ta pushtojë në atë moment kalanë e Shkodrës , me ndërmjetësimin e Hersek-zade Ahmed Pashës, e nxori nga burgu. Shërbeu me pagë plotësuese (arpallëk) në pushtimin e Vlorës. Në Vlorë, pastaj, u përgatit për sulme të mëtejme të kalave dhe qyteteve . Në vitin 886/1481 për t’ia uruar ardhjen në fron Sulltan Bajazitit II erdhi në Stamboll. Doli fitues kundër princit Xhem . Sado që tregoi trimëri në luftërat që i bëri, e tepronte paksa në mënyrën e përdorimit të diktaturës dhe, meqë e kalonte kufirin, e zemëroi padishahun, i cili e ekzekutoi në Edrene, në hamam . Gedik Ahmed Pasha ka lënë disa hajrate, kurse në Stamboll ndërtoi një hamam. Mëhalla (Gedik Pasha) mban emrin e tij .
GJIRITLI MUSTAFA NAILI PASHA
Është nga sadriazemët (kryeministrat) e kohës së Sulltan Abdylmexhid Hanit. Lindi në fshatin Bojanë që ndodhet në kazanë dhe sanxhakun e Korçës të vilajetit të Manastirit në Shqipëri. Rrjedh nga një familje e vjetër vezirësh. Meqë një kohë të gjatë qëndroi në vilajetin e Kretës , u bë i njohur me pseudonimin Gjiritli. Bashkë me Ismail Beun, baba i tij, iu bashkua Plasali Tahir Pashës të cilin e kishte dajë. Ia mësyen Egjiptit me ushtri me qëllim që t’i përzënë francezët nga Egjipti. Tahir Pasha pasi që u bë vali, vdiq aty. Vëllai i tij Hasan Pasha u bë komandant (serkerde) me gradën mirmiran në kohën e valiut të ndjerë Mehmed Ali Pashës. Edhe ky, biografia e të cilit po shkruhet këtu, pat mbetur me të. Shkoi në Hixhaz bashkë me ushtrinë egjiptiane e cila u drejtua nga ana e Mehmed Aliut për të kundërshtuar vehabitët.Meqë tregoi trimëri në luftërat të cilat zgjatën 5 vjet, arriti të marrë gradën serkerde (komandant). Për të shuar kryengritjen që u paraqit në Kretë dhe, për të kthyer paqë e qetësi këtu, në vitin 1237/1821 Hasan Pasha i lartpërmendur u urdhërua që me ushtrinë egjiptiane të shkojë në Kretë me të cilin shkoi edhe ky (Mustafa Naili Pasha – M.P.). Pa kaluar shumë kohë Hasan Pasha vdiq. Komandimi iu besua këtij, biografia e të cilit po shkruhet këtu, i cili mbante gradën mirmiran. Atëherë, si shpërblim për shërbimet që i bëri në More me ushtrinë egjiptase të Ibrahim Pashës, kur iu besua Mehmed Ali Pashës së sipërpërmendur qeverisja e ishullit të Kretës, këtij biografia e të cilit shkruhet këtu, iu vazhdua detyra si vali. Pati sukses në zhdukjen dhe shtypjen e bandave plaçkitëse si dhe në vendosjen e barazisë dhe bashkëjetesës në mes popullit musliman dhe të krishterë.Pasi që u muar me udhëheqjen e punëve shtetërore si në atë egjiptase dhe si, pastaj, drejpërdrejtë në atë të Shtetit Osman, hap pas hapi, plot tridhjetë vjet, shumë mirë qeverisi ishullin e Kretës. Pat arritur të marë poste në ministri, të fitojë dekorata dhe shpërblime të tjera. Më 1265/1848 e shuajti shpejt dhe plotësisht një kryengritje që përsëri shpërtheu në Kretë. Meqë pati sukses në vënien e rendit dhe qetësisë, për suksesin e jashtëzakonshëm, qe graduar edhe me gradën ministër (vezir). Më 1267/1850 u ndërrua nga detyra. Erdhi në Stamboll, ku u caktua anëtar i Këshillit të Lartë për çështje të drejtësisë (Mexhlis-i Vâlâ-i Ahkâm-i Adlije), e pastaj edhe anëtar i Kryesisë supreme (Rijasetit). Qe shpërblyer me dekorata: Mexhidijen e dytë e pastaj edhe me Mexhidijen e parë . Më 1269/1852 ishte emëruar kryeministër (sadriazem). Pasi shërbeu në këtë post 1 vjet e 26 ditë, më 1270/1853 u ndërrua nga ky post dhe u caktua të punojë në Këshillin e posaçëm të ministrave (Mexhlis-i Hass-i Vukela). Ndërsa në vitin 1273/1856 për të dytën herë bëhet kryeministër (sadriazem), por, pas afër tre muaj në këtë pozitë, përsëri u ndërrua. U tërhoq anash që të pushojë, por përsëri, po atë vit, u angazhua të punojë në Këshillin e Lartë shtetëror (Mexhalisi-i Alije). Më 1278/1861 në kohën e Sulltan Abdulazizit u shpërblye edhe me dekoratën e parë të Shtetit Osman. Më 1289/1872 në moshën 76 vjeçare ndërroi jetë. Është varrosur në oborrin e xhamisë Fatih.Shumë mirë i ka ditur gjuhët: turke, arabe, greke dhe shqipe. Ka qenë i njohur edhe për bujari, respekt dhe paqëdashësi .
HALIL PASHA
Është nga vezirët i cili kaloi në funksione të larta në ministri në kohën e Sulltan Ahmed Hanit III. Është me origjinë shqiptare, elbasanas. Kur vëllai i tij Sinan aga u bë bostanxhi-bashë, erdhën në Janinë dhe pastaj bashkë me Kallajli Mehmed Pashën shkuan në Bagdad. Kur u kthye, duke marrë gradë pas grade, u bë bostanxhi-bashë në oxhakun (korpusin) e jeniçerëve. Shërbimet e tij pranoheshin te padishahu, pastaj, duke u aftësua edhe më tepër, më 1128/1715 me gradën mir-i miran u dërgua të shërbejë në ejaletin e Erzurumit. Ishte koha e ekspeditës së Austrisë. U urdhërua ta renovojë kalanë e Nishit. Meqë tregoi sukses të mirë në këtë çështje, sado që u dërgua me detyrë në ejaletin e Dijar-Bekrit, për shkak të nevojës qe transferuar në Pashallëkun e Beogradit. Në atë kohë u vra sadriazemi Ali Pasha. Duke e parë të nevojshme të emërohet serdar një personalitet i meritueshëm, për shkak të famës që e fitoi në oborrin mbretëror, në muajin ramazan të vitit të përmendur, iu besua myhyri i ministrisë (detyra e kryeministrit). Po në atë vit, në muajin zulhixhxhe u kthye në garnizonin dimëror në Edrene. Pasi u nderua nga padishahu, në muajin rexhep të vitit 1129/1716, me ushtrinë osmane shkoi në frontin e Beogradit, por nuk pati sukses në këtë luftë. Kur u kthye në Nish, u largua nga ministria dhe, sado që u emërua në ejaletin e Selanikut, e kapi një dyshim, prandaj iku dhe u mshef. Pasi qëndroi një vjet në ilegalitet, për shkak se u mërzit në jetën ushtarake, u tërhoq dhe u emërua në muhafezllëkun e Bogaz-hisarit. Gjatë kohës në ilegalitet e kishte pranuar ket-huda Abdi Haskiun i cili e kishte fshehur. Më 1140/1727, pra pas një pauze, duke iu kthyer grada e vezirit u emërua në muhafezllëkun e Agribozit, e pastaj në atë të Kandijes dhe Hanijes dhe përsëri në atë të Kandijes dhe aty u tërhoq nga aktiviteti. Shërbeu në ministri afër 13 muaj. ishte modest, jomendjemadh dhe shumë fetar .
HAMZA BEU
Ishte nga burrat më të zgjedhur të Sulltan Murat Hanit II. Është vëllai i shqiptarit, Bajazit Pashës, i cili ishte shok besnik në internim i Çelebi Sulltan Mehmed Hanit. Edhe ky, biografia e të cilit po shkruhet këtu, ka qenë në shërbim të tre pashallarëve, d.m.th. në shërbim të Çelebi Sulltan Mehmedit, të Sulltan Muratit II dhe Ebu-l-Fet’h Sulltan Mehmedit II. Në kohën e Çelebi Sulltan Mehmedit ishte komandant i Labiskisë dhe i pengonte venedikasit të dalin aty. Bënte edhe shërbime të tjera. Në kohën e Sulltan Muratit II, ishte bashkë me vëllain e tij, Bajazit Pashën e lartpërmendur, i cili veproi kundër Dyzme Mustafait. Në humbjen që e patën te lumi Sazli, që të dy u zunë rob dhe ky i dyti (Bajazit Pasha – M. P.) iu dorëzua për hakmarrje Izmiroglli Xhynejdit, i cili gjendej në vend të vezirit të Dyzme Mustafait. Bajazit Pashën e vranë, kurse Hamza beun e patën lëshuar. Që atëherë tërhoqi simpatinë dhe dashurinë e padishahut, Sulltan Murat Hanit II. Kur u urdhërua për zhdukjen dhe likuidimin e Xhynejdit, i cili përsëri organizoi kryengritje në Izmir, për një kohë shumë të shkurtër e kreu këtë detyrë në favor të vet . E vrau Xhynejdin, ndihmësit dhe të afërmit e tij, ndërkaq, kokat e prera të tyre i dërgoi në Edrene. U caktua të shërbejë në sanxhakun e Galipolit në kohën e Sulltan Mehmedit II. U vu në krye të detyrës për t’i pushtuar ujdhesat me ndihmën e flotës, mirëpo, meqë flota osmane ende nuk ishte në rangun e flotës së Venedikut, këtë herë nuk pati aq sukses. U kthye në Edrene dhe iu nënshtrua padishahut. Padishahu, duke i respektuar shërbimet që ia bëri babait të tij, e fali dhe e dërgoi në detyrë të re, në sanxhakun e Antalisë. Pastaj, u urdhërua të shpëtojë kalanë e kojunëve që kishte rënë në duart e Uzun Hasanit . Në këtë betejë doli fitimtar. Përsëri tërhoqi vëmendjen e padishahut, i cili e bëri bejlerbe të Rumelisë. Pastaj u urdhërua ta eliminojë Is’hak beun, beg i Karamanit. Këtë e mundi plotësisht dhe e detyroi të ikë. Pas kësaj, meqë nuk haset emri i tij në historinë osmane, merret vesh se nuk ka jetuar edhe shumë kohë. Ka një xhami (camii sherif – xhami e ndershme) shumë të bukur në Brusë si dhe medrese e bibiliotekë. Edhe pse ishte trim i jashtëzakonshëm, në histori përmendet se ishte, për nga natyra, një personalitet shumë i qetë dhe i butë .
HAMZA BEU
Është djali i vëllait të shqiptarit të njohur, Skënderbeut. Kur i ati i tij ishte i ri, bashkë me një vëlla tjetër dhe me Skënderbeun, duke u marrë peng nga ana e Sulltan Muratit II, qe edukuar në oborrin e Sulltanit dhe pat pranuar Fenë islame. Edhe Hamzai u rrit në këtë rreth. Pas kësaj mixha i tij – Skënderbeu, kur iku për në Shqipëri, e shoqëroi edhe ky. Në luftat që i fitoi Skënderbeu në kohën e Sulltan Muratit II, i pat ndihmuar shumë edhe Hamzai i guximshëm dhe trim. Mirëpo, më pastaj, në kohën e Sulltan Mehmet Hanit II, Hamzai u nda nga Skënderbeu. Meqë iu premtua të bëhet beg i Shqipërisë, pranoi të punojë në shtet (Osman – M.P.) kundër Skënderbeut. Ai bashkë me Yrnysbeg-zade Isa beun, duke qenë në krye të 40 mijë kalorësve osmanë, hyri në Shqipëri. Sado që në fillim e detyruan Skënderbeun të tërhiqet në qytetin e Lezhës, i cili gjendej në duart e venedikasve, më pastaj Skënderbeu në saje të aftësisë dhe shkathtësisë që e kishte, doli fitues. Në luftën që u zhvillua në mes tyre, u vra Isa beu , ndërsa Hamzai u zu rob. Edhe pse padishahu i ofroi shpërblim, Skënderbeu nuk u pajtua në fillim që ta dorëzojë nipin e tij, ndonëse në atë rast bënë një marrëveshje mashtruese për dorëzimin e Hamzait. I pat premtuar që kur të arrijë në Stamboll do të marrë bashkëshorten dhe fëmijët dhe do të kthehet. Edhe Skënderbeu e pranoi këtë propozim. Dhe, pak kohë pasi u dorëzua, Hamzai vdiq . Kështu premtimin që ia dha mixhës së tij, nuk mundi ta realizojë. Në historinë evropiane në vend Hamza përdoret gabimisht Ameza .
HASAN PASHA
(Princ i Egjiptit)Është vëllai i Teufik Pashës i cili është ende (lexo në kohën e Sami Frashërit – M.P.) hidiv i Egjiptit dhe është djali i tretë i ish-hidivit, Ismail Pashës. Pasi i mbaroi studimet në Egjipt dhe në Evropë dhe pasi i studioi shkencat ushtarake dhe gjuhët evropiane, u kthye në Egjipt dhe hyri të punojë në ushtri. Në luftën kundër Abisinisë tregoi trimëri, aftësi dhe shkathtësi të jashtëzakonshme ushtarake. Mori pjesë edhe në luftën e fundit kundër Rusisë si dhe, me ushtrinë egjiptiane, u gjend në anët e Varnës, ku tregoi sukses të madh. Kur u larguan prindërit e tij nga Egjipti, edhe ky së bashku me ta shkoi në Evropë. Pas një kohe erdhi në Stamboll. Për shkak të karakterit të tij të butë dhe moralit të shkëlqyeshëm, e kur t’u shtohet këtyre edhe zgjuarsia dhe njohuritë, tërhoqi vëmendjen dhe kujdesin e Sulltanit. U bë shumë i dashur te ai, madje e nderoi me gradën Javer-i Ekrem (gjeneral-agjutant). Meqë arriti një gradë aq të lartë, pranoi shumë dekorata si nga shteti Osman ashtu edhe nga shtetet e huaja. Mirëpo, ende pa i mbushur të 35-tat, në vitin 1306/1888 vdiq në Stamboll. Trupin ia dërguan në Egjipt. E varrosën pranë gjyshërve dhe stërgjyshërve të vet .
HOXHA HASAN TAHSINI
Është nga ulematë (shkencëtarët) e periudhës së fundit të Perandorisë Osmane. Ishte i pajisur me njohuri të shkencave natyrore-matematikore dhe tradicionale (teologjike); i njihte për mrekulli gjuhët lindore dhe perëndimore, përmes të cilave u thellua në shkencat e reja (shkencat ekzakte). Është shqiptar. Lindi në një fshat të Kazasë së Filatit në anët e Çamërisë. meqë babai i tij ishte me detyrë të kadiut, ky (Hoxha Hasan Tahsini – M.P.) fëmijërinë e kaloi pranë tij. Mësimet e para i mori nga i ati. Pastaj shkoi në Stamboll dhe shfrytëzoi rastin të hyjë në medrese. Pasi u diplomua aty, reformatori i madh i Turqisë Mustafa Rashid Pasha zgjodhi një grup studentësh më të zgjuar, në mesin të cilëve edhe Tahsinin, që t’i dërgojë në Paris, me qëllim që t’i mësojnë gjuhët dhe t’i studiojnë shkencat e tjera. Pasi mësoi një kohë shkencat e reja, shërbeu si imam për anëtarët dhe diplomatët e ambasadës turke në Paris. Kështu pati mundësi t’i zgjerojë edhe më tepër dituritë shkencore, sidomos u interesua për shkencat natyrore: kimi, fizikë, astronomi, gjeologji dhe shkenca të tjera. Pas një kohe u kthye në Stamboll. Në këtë vit u hap Universiteti dhe rektor i parë i Universitetit të posahapur u zgjodh Hoxha Hasan Tahsini, i cili i mbulonte shumë lëndë nga shkencat natyrore. Mirëpo, për shkak të ligjëratave që i mbante hasi në moskënaqësi te qarqet konservative turke, prandaj u largua nga Universiteti. Pas kësaj, pra pas largimit nga puna, për shkak të titullit shkencor që e kishte arritur, pushteti ia kishte caktuar një pension të vogël. Më vonë e mori një vend, një medrese të vogël të papërdorshme (të lënë shkretë) në Stamboll dhe ia filloi të mbajë kurse private. Ndërkaq, kohën e lirë e kalonte duke u thelluar në studimin dhe leximin e veprave artistike dhe në librat e shumta që i kishte pasë përgatitur. Nuk ishte i martuar, prandaj, në jetë, përveç shkencës, nuk ishte i angazhuar me asgjë tjetër. Në vitin 1297/1879, në moshën 70 vjeçare vdiq nga turbekulozi. U varros në varrezat e Erenközit. Ka lënë pas vetes një varg përkthimesh të veprave shkencore, disa shkrime për shkencat filozofike si dhe një varg poezish, ndonëse deri më tash asnjë nuk u interesua t’i mbledhë e t’i botojë . Ndonëse në të të folur kishte shprehje të larta, poezitë dhe veprat i shkroi me një gjuhë të lehtë dhe letrare .