Kryeministri grek hedh poshtë NATO-n
(last modified Fri, 04 Sep 2020 19:07:09 GMT )
Shtator 04, 2020 21:07 Europe/Tirane
  • Kryeministri grek hedh poshtë NATO-n

Athina i mohoi pretendimet e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg sipas të cilit Greqia dhe Turqia u pajtuan me idenë e bisedimeve teknike si mënyrë për të shtensionuar situatën në Mesdheun Lindor.

Burime diplomatike greke thanë se e vetmja mënyrë që të ulen tensionet, është tërheqja e anijeve turke nga ujërat greke. Pas kësaj, vetë kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, doli me deklaratën se Ankaraja duhet të ndalë “kërcënimet”. Ai shtoi se ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, do të informojë më vonë Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres mbi “veprimtarinë e paligjshme” të Turqisë. Stoltenberg, më herët pat thënë se të dy aleatët e NATO-s kishin “rënë dakord të fillojnë bisedime teknike në NATO për të krijuar mekanizma që do të zvogëlonin rrezikun e incidenteve në Mesdheun Lindor”. Tensionet mes dy vendeve janë përshkallëzuar qe prej 10 gushtit kur Turqia dërgoi anije kërkimore dhe ushtarake në Mesdhe. Greqia dhe Qipro pretendojnë se ky veprim ka shkelur sovranitetin e tyre. Athina u përgjigj duke organizuar stërvitje detare me disa aleatë të BE-së dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Bashkimi Evropian ka kërkuar vazhdimisht nga Turqia të ndalojë aktivitetet e kërkimit duke kërcënuar me vendosje të sanksioneve ndaj Ankarasë nëse ajo nuk pranon të zgjidhë mosmarrëveshjen përmes dialogut.

Tags