Gusht 29, 2024 16:18 Europe/Tirane
  • Së bashku me thesaret historike të Iranit (2)

“Derafsh-e Shahdad” është flamuri më i vjetër i zbuluar në botë

Përshëndetje miq të nderuar, jemi pranë jush me episodin e dytë të podkastit  "Së bashku me thesaret historike të Iranit”.

Objektet historike kanë shumë rrëfime në brendësinë e tyre, sepse tregojnë për kulturën dhe historinë e njerëzve të cilëve ato u përkisnin dikur. Arkeologët marrin informacion shumë të vlefshëm duke hulumtuar objektet dhe duke nxjerrë vjetërsinë historike të tyre. Në eksplorimet e tyre, ata gjejnë objekte që ndonjëherë mund të hapin shumë dyer për ta njohur më mirë të kaluarën njerëzore. Objekte që tregojnë historinë e qytetërimeve të humbura. Qytetërimeve që ekzistonin mijëra vjet më parë dhe u zhdukën papritur.

Irani është një vend i lashtë me një histori shumë të pasur, e cila ka thesare të mahnitshme në shtratin e saj. Një nga këto zona është shkretëtira Shahdad në provincën Kerman. Ky rajon, i cili ndodhet në juglindje të Iranit, është transmetuesi i një qytetërimi të humbur dhe ka fshehur shumë histori në brendësinë e vet. Në gërmimet e tyre në këtë zonë, arkeologët kanë gjetur flamurin më të vjetër të mbetur në histori, i cili njihet si "Derafsh-e Shahdad". Ky flamur është rreth 5000 vjet i vjetër dhe është 23 x 23 cm , ​​me një shqiponjë të instaluar në shtyllë. Qëndroni me ne me episodin e dytë të podkastit  “Së bashku me thesaret historike të Iranit”.

Për shumë njerëz, të udhëtosh në shkretëtirë është si të udhëtosh në një tokë të panjohur. Kjo është për arsye se njerëzit kanë pak përvojë me rrugëtimin në shkretëtirë dhe nuk kanë shumë njohuri rreth këtij fenomeni natyror. Jeta në shkretëtirë është e lidhur me shumë probleme dhe kushtet e jetesës në zonat e shkretëtirës janë edhe më të vështira. Për shkak se uji është shumë i rrallë në shkretëtirë, askush nuk pret që një qytetërim i lashtë të dalë prej një zone shkretinore.

Por ejani me ne të shkojmë 70 kilometra në verilindje të Kermanit, në Iranin juglindor, për t'ju treguar për një qytetërim të lashtë në zemër të shkretëtirës. Zona e quajtur Shahdad është pjesa më e madhe e provincës Kerman. Një zonë shkretëtire shumë e nxehtë ku një temperaturë që arrin deri në 63 gradë Celsius është regjistruar zyrtarisht në stinën e verës. Kjo është në kohën kur vendi më i nxehtë në botë është regjistruar më parë në shkretëtirën e Libisë me një temperaturë prej 57 gradë Celsius. Sipas banorëve vendas të Shahdadit, kjo temperaturë rritet deri në 70 gradë gjatë pikut të nxehtësisë së verës. Duke vendosur një enë me ujë në tokë, mund të shihni lehtësisht ujin brenda enës duke u ngrohur në një kohë të shkurtër.

Pavarësisht të gjitha këtyre veçorive dhe karakteristikave të veçanta, një qytetërim 5000-vjeçar është zbuluar rreth kësaj shkretëtire të bukur dhe të nxehtë të Iranit. Një qytetërim që dikur ishte shtëpia e njerëzve që merreshin me bujqësi, qeramikë dhe punime metalike. Ky qytetërim quhet Khabis. Një zonë e njohur si një nga habitatet më të vjetra të njeriut. Zonat antike të Khabis në Shahdad janë shumë të pasura dhe kanë sjellë informacion befasues për arkeologët.

Qytetërimi Khabis i Shahdadit mund të konsiderohet si një nga hallkat që mungojnë midis qytetërimit të Azisë Lindore dhe Mesopotamisë. Një qytetërim që ka dalë nga toka si shumë vende të lashta të rrafshnaltës iraniane, por më pak është folur për atë që ka, ndërkohë që misteri i tij ende mbetet i varrosur nën tokë. Por si u zbulua ky qytetërim i humbur?

Në vitin 1967, një delegacion nga Instituti i Gjeografisë i Universitetit të Teheranit udhëtoi në Dasht-e Lut ose shkretëtirën Lut në provincën Kerman, e cila ndodhet në juglindje të Iranit për kërkime. Instituti Gjeografik i Universitetit të Teheranit është një nga institutet kërkimore më të vjetra në Iran, i cili filloi aktivitetin e tij në vitin 1957. Ky delegacion kryesohej nga Prof. Ahmed Mostofi, gjeograf i shquar iranian. Ata po zhvillonin kërkime shkencore në lindje të shkretëtirës Lut kur zbuluan shumë objekte historike në rajonin Shahdad të provincës Kerman, duke përfshirë një flamur 5000-vjeçar. Ata gjetën edhe mbetje të varreve të lashta në këtë zonë. Në vijimësi të kërkimeve, një tjetër ekip arkeologjik i kryesuar nga Ali Hakemi nisi gërmimet në varreza. Këto gërmime vazhduan deri në vitin 1976 dhe nga varret e gërmuara dolën shumë objekte prej bronzi dhe balte.

Zbulimi i varrezave në rajonin Shahdad konsiderohet një nga zbulimet më të rëndësishme arkeologjike të epokës bashkëkohore, sepse në varret e saj kishte shumë objekte historike me vlerë të cilat tregojnë për pikëpamjen e njerëzve rreth jetës dhe vdekjes në atë periudhë antike. Ata besonin se pas vdekjes do të kenë nevojë për ujë, ushqim dhe strehim në një botë tjetër. Prandaj, ata morën me vete në varr të gjitha sendet e tyre, nga enët dhe rrobat e deri te stolitë. Historianët zbuluan se banorët e qytetërimit Shahdad ishin artistë dhe ata bënë statuja të njerëzve të tyre të mëdhenj dhe të famshëm, duke përfshirë sundimtarët dhe klerikët, dhe pas vdekjes së tyre gjatë varrimit, i vendosën ato në varr me sende të tjera. Ndër statuja ka edhe shumë statuja femrash.

Në vazhdimësi të gërmimeve do të gjenden gjetje të reja të këtij qytetërimi pesëmijë vjeçar, duke përfshirë lagje banimi dhe punishte zejtarie! Banorët e këtij qyteti merreshin kryesisht me bujqësi, qeramikë dhe përpunimin e metaleve. Por si jetonin ata në këtë shkretëtirë pa ujë?  Sekreti i jetës së tyre qëndron në "Kūh-e Sīrch". Një rajon me lartësi të përshtatshme mbi nivelin e detit, i cili ka krijuar një klimë të mesme në rajon. Nuk e dimë pse kjo zonë papritur u shndërrua në një shkretëtirë, por duket qartë se zejtaria dhe tregtia kishin arritur kulmin e zhvillimit të vet në këtë qytetërim. Objektet historike të zbuluara në këtë zonë janë dëshmi e kësaj teorie. Një nga këto objekte është një vulë që u zbulua në rajonin Khabis. Kjo vulë tregon zhvillimin e administrimit shoqëror dhe shtetëror në atë kohë. Arkeologët tani e konsiderojnë qytetërimin Shahdad si një çelës për të kuptuar zhvillimet shoqërore dhe kulturore të të gjithë rajonit juglindor të Iranit në mijëvjeçarin e tretë para erës së re. Disa e konsiderojnë qytetërimin Khabis të jetë i njëjtë me qytetin e humbur sumerian me emrin Arata. Arata është emri i vendit që përmendet në burimet sumeriane dhe më pas në burimet akadiane. Një vend plot me gurë floriri, argjendi dhe mjeshtër të mëdhenj të artizanaleve. Një vend i largët që është i vështirë për t'u arritur!

Në shkrimet sumeriane të shkruara mbi pllaka balte, emri Arata përdoret shumë. Sipas teksteve sumeriane, Arata ishte një vend në lindje të Anshanit. Studiuesi anglez Hansmann e konsideron vendin e tyre si Fars dhe "Qytetin e Djegur" në provincën Sistan si qytetin epik të Aratas, por zbulimet e mëvonshme në provincën Kerman vërtetuan se Arata është qytetërimi Shahdad në provincën Kerman të Iranit. Shahdad ishte kryeqyteti i shtetit Arata, i cili ishte një nga disa shtete autonome të Perandorisë Ilami.

Ju folëm për qytetërimin Khabis në Shahdad dhe do të vazhdojmë temën tonë për "Derafsh-e Shahdad", flamurin më të vjetër në botë.

Ndër të gjitha objektet e gjetura në këtë qytetërim, më së shumti vëmendjen e tërhoqi flamuri antik. Flamujt janë përdorur si simbole në beteja dhe luftime në të kaluarën e largët. Këta flamuj kishin simbole dhe forma të veçanta që e bënin të lehtë dallimin e armikut nga miqtë. Edhe sot, me një ndryshim në vështrim ndaj së kaluarës, flamuri përdoret si simbol i bindjeve, kulturës dhe fesë së një vendi. Ngjyrat e përdorura në flamuj tregojnë karakteristikat e atij vendi ose kombi. Për shembull, ngjyra e gjelbër mund të jetë simbol i gjelbërimit të një vendi dhe në një tjetër kuptimi i shenjtërisë së fesë së atij vendi. Ose ngjyra e kuqe mund të jetë një simbol i guximit ose një simbol i lumturisë. Ngjyra e bardhë në përgjithësi është një shenjë e paqes dhe qetësisë. Flamuri është një nga simbolet që është shumë i rëndësishëm për çdo komb apo shtet. Flamujt kanë shumë fjalë me vete. Ata shpallin humbjen në beteja ose fitoren! Një vend ose një komb, flamuri i të cilit është ngritur, do të thotë se ka fituar betejën dhe flamuri i ulur pasqyron humbjen e atij kombi.

Flamuri "Derafsh-e Shahdad" është një flamur shumë i bukur në qytetërimin Khabis. Ky flamur është bërë me një fletë bronzi që ka marrë ngjyrë të gjelbër me kalimin e kohës. Dimensionet e flamurit "Derafsh-e Shahdad" janë 23 cm në katror.

Flamuri "Derafsh-e Shahdad"

Fleta e flamurit është montuar në një shtyllë në majë të së cilës ka një statujë shqiponje. Ekziston edhe një foto e një personi me flokë të gjatë i ulur në një fron. Roli i tij është qëllimisht më i madh se të tjerët në këtë pikturë dhe ai ndoshta ishte një mbret ose një udhëheqës. Ky person zgjat dorën e majtë për të kapur një objekt që ndoshta është një gotë. Një shtambë që është vendosur në dorën e një personi tjetër që ndodhet në një stol përballë tij, që supozohet të jetë një grua. Pranë këtij personi është gdhendur një shtambë tjetër. Pas kësaj gruaje, dikush po i jep një tjetër shtambë gruas dhe nën këmbët e atij që ulet në fron është një shërbëtor që ka ngritur dorën. Prapa burrit të ulur në fron, një person tjetër mund të shihet duke mbajtur diçka të ngjashme me një shkop, dhe me siguri posedon një post të lartë.

Dy luana dhe një lopë me gunga ndodhen në fund të tablosë, shembuj të të cilave mund të shihen më vonë në qytetërimin Akamenid.  Në anën e majtë të këtij flamuri, ka një palmë dhe në anën e djathtë dy pemë të panjohura, nën njërën prej të cilave është gdhendur një formë e çuditshme si tempull ose kopsht. Në këtë pikturë mund të shihen edhe motive thurjeje, shembuj të të cilave janë parë në qytetërimin Xhirof. Të gjitha këto tablo duket se ndriçohen nga rrezet e diellit që janë gdhendur mbi to. Arkeologët nuk e dinë saktësisht se për cilin komb apo popull ishte ky flamur dhe çfarë kuptimi kanë simbolet në të. Por ata e dinë se një herë e një kohë ka ekzistuar një qytet i famshëm, i cili  u rrëzua pas shkatërrimit të këtij qytetërimi dhe mijëra vjet më vonë arriti tek ne për të na treguar zhvillimet e kohërave të vjetra të qytetit të tij.

Qytetërimi i lashtë Khabis në brigjet e shkretëtirës Lut dhe në një vend ku pakkush do ta imagjinonte ekzistencën e një qytetërimi të pasur, është quajtur flamurtari i një prej qytetërimeve më të vjetra njerëzore. Ekzistenca e flamurit metalik më të vjetër në botë në këtë zonë, e cila ngjan shumë me flamurin "Derafsh-e Kavian", konsiderohet si një nga zbulimet më të shquara të këtij vendi të pasur antik. “Derafshe Kaviani” ka qenë flamuri mitologjik i Iranit deri në fund të dinastisë Sasanide.

Flamuri "Derafsh-e Shahdad"

Kemi arritur në fund të episodit të dytë të podkastit “Së bashku me thesaret historike të Iranit”. Ju mund të dërgoni kritikat, pyetjet dhe sugjerimet tuaja përmes faqes sonë. Do të dëshironim shumë të dinim mendimet dhe pikëpamjet tuaja për këtë podkast dhe podkastet tona të tjera dhe për të ndërvepruar dhe shkëmbyer ide me njëri-tjetrin. Ne gjithashtu do t’ju jemi shumë mirënjohës që nëse ju pëlqen përmbajtja e podkast-it, ju lutemi ta ndani atë me miqtë dhe familjarët tuaj dhe t’ua prezantoni atë edhe të tjerëve.

Programet tona mund t'i ndiqni në faqen e radios https://iranradio.ir/sq/. Tekstin e këtij programi mund ta lexoni në faqen https://parstoday.ir/sq

 

 

Tags