Podkasti “Së bashku me thesaret historike të Iranit” (3)
Në këtë program do të mësojmë për "Luanët e Gurit" që ekzistojnë në rajone të ndryshme të rrafshnaltës iraniane, duke përfshirë rajonet e fiseve Bakhtiari.
Përshëndetje miq të nderuar, jemi pranë jush me episodin e tretë të serialit "Së bashku me thesaret historike të Iranit".
Në këtë program kemi mbërritur tek “Luanët e Gurit”. Skulpturat e gurit të luanëve që ekzistojnë në zona të ndryshme të rrafshnaltës iraniane, duke përfshirë zonat e fiseve Bakhtiari. Qëndroni me ne.
A keni menduar ndonjëherë deri më tani pse njerëzit përdorin simbole! Dhe çfarë funksioni kanë simbolet për njerëzit? Gjatë historisë, njerëzit janë përballur me koncepte që nuk mund t'i shprehin dhe nuk mund t'i përshkruanin ato në asnjë mënyrë. Gradualisht, ata mësuan se mund të përdorin simbole për të shprehur mendimet e tyre. Për shembull, iranianët për të shprehur trimërinë dhe forcën, përdorin simbolin e luanit.
Luani është një nga këto simbole që ka qenë shumë i popullarizuar tek iranianët që nga e kaluara e lashtë dhe ka pasur një imazh të qartë në artin dhe në të menduarit e popujve të lashtë. Ky rol origjinal dhe i lashtë është personifikuar në forma të ndryshme në artin e letërsisë dhe të fesë dhe ka pasur kuptime të ndryshme. Luanët prej guri janë statuja që janë të shpërndara në rajone të ndryshme të Iranit dhe mund të shihen në forma të ndryshme, të vogla, të mëdha dhe të ulur, në këmbë dhe ndonjëherë edhe të shtrirë.
Luani ka një vend të veçantë në kulturën mitologjike të Iranit. Në një petroglif që i përket një periudhe 2500 vite më parë dhe që ndodhet në kompleksin Persepolis, shihet një luan duke kafshuar veshkën e një lope. Në mitologjinë iraniane, luani është simbol i qiellit, diellit dhe zjarrit si elementi më i lartë, dhe lopa është simbol i botës dhe tokës. Në këtë petroglif është shfaqur një skenë simbolike e epërsisë së diellit mbi tokën.
Gjurmët e pranisë së luanit mund të shihen në raste të shumë ceremonive dhe simboleve iraniane. Nga dekorimet e gdhendura mbi kupa dhe pllaka të qytetërimeve të lashta, në tapeta dhe qilima të thurura me dorë që pasqyrojnë luanin dhe vendet e gjuetisë e deri te prania e figurës së luanit në flamurin iranian gjatë periudhës së dinastisë Safavide e kështu me radhë!
Gjithashtu, ky interesim i iranianëve për luanët vërehet edhe te skulpturat e luanit të gdhendura mbi gurë që janë të shpërndarë në zona të ndryshme të rrafshnaltës iraniane. Ekziston një nga simbolet më të vjetra të një luani në provincën Hamedan, i cili lidhet me periudhën e dinastisë Mede në Iran, pra diçka rreth 2600 vjet më parë!
Figura e luanit në mënyrë simbolike të gdhendur në gurë mund të gjenden në zonat Bakhtiari me bollëk. Popullata bakhtiari ose fisi Lor Bakhtiari janë fise iraniane që jetojnë në jugperëndim të Iranit, duke përfshirë pjesën perëndimore të provincës Çaharmahal Bakhtiari, një pjesë të madhe të provincës Khuzestan, pjesën lindore dhe jugore të Lorestanit dhe pjesën perëndimore të provincës Esfahan. Banorët e këtyre rajoneve flasin të dialektin Lori Bakhtiari të gjuhës persishte, që është një nga dialektet e gjuhës lori.
Ndërkohë, sa u përket skulpturave të luanëve të gdhendur në gurë në mesin e fiseve Bakhtiari! Figura e luanit e gdhendur në gur është një nga veprat më të spikatura ritualistike dhe simbolike të artit midis fiseve Bakhtiari, që përfaqëson një pjesë të identitetit të tyre kulturor dhe trashëgimisë artistike dhe tregon mirë bindjet e këtyre njerëzve në lidhje me jetën. Skulpturat dhe gdhendjet e zbukuruara me luanë janë një shenjë e shijes së artit të këtij populli, e cila manifestohet në thjeshtësi dhe elokuencë dhe bazohet në natyrën dhe mendimin e tyre kolektiv. Fiset Bakhtiari përdorin fjalën “Shir” që do të thotë luan, në emërtimin e fëmijëve të tyre dhe është një nga përbërësit e emrave të përbërë. Ndër këta emra janë: Shir Muhamed, Shir Ali, Shir Husejn, Shir Del (zemër luani), etj.
Po flasim për skulpturat e luanëve të gdhendur në gurë në rajonet Bakhtiari! Dëgjoni se ku ndodhen këto statuja të bukura dhe në fakt për çfarë janë gdhendur.
Nga e kaluara e lashtë, fiset bakhtiari vendosnin skulptura luani të gdhendura në gur dhe të punuar me dorë mbi varret e njerëzve trima. Kjo vepër do të shërbente si një burim për të kujtuar burrërinë e atij personi dhe për të mbetur ai në kujtesën e njerëzve dhe më e rëndësishmja, për të tërhequr vëmendjen e brezave të ardhshëm ndaj trimërisë së njerëzve të vdekur. Kjo është domethënia e formimit dhe lindjes së skulpturave të luanit të gdhendur në gur.
Thuhet se skulptura më e vjetër e luanit prej guri në provincën Chahar Mahal dhe Bakhtiari daton që nga periudha Safavide, por disa të tjerë besojnë se skulpturat e luanëve prej guri janë të periudhës së Medëve në Iran. Megjithatë, nuk ka asnjë dëshmi të saktë për datën e gdhendjes të këtyre skulpturave. Sot ky element simbolik konsiderohet si një nga simbolet më të dukshme kulturore dhe të identitetit etnik të fiseve Bakhtiarit. Vendosja e një skulpture luani prej guri mbi varret e parisë dhe njerëzve të shquar të fiseve Bakhtiari është një nga traditat e lashta fetare të këtij populli.
Trupi i skulpturave të luanëve prej guri në përgjithësi përfshin trupin, qafën, këmbët, putrat, bishtin, krifën dhe fytyrën. Fytyra e luanëve të vjetër prej guri është kryesisht e qetë dhe neutrale, por ndonjëherë edhe e zemëruar. Në disa raste, ata duket se janë duke buzëqeshur. Forma e gojës së luanëve është e hapur, gjysmë e hapur dhe e mbyllur. Madhësia e luanëve zakonisht varet nga pozicioni i personit të vdekur midis pasardhësve të tij. Nëse i ndjeri ishte në një nivel të lartë përsa i përket statusit shoqëror, natyrisht, luani prej guri që vendoset mbi varrin e tij do të jetë më i madh dhe më voluminoz. Krahas asaj fryme epike, në këtë madhështi ka luajtur rol edhe trimëria dhe lufta me armikun.
Luanët e gurit, që nga fillimi i krijimit të tyre e deri më sot, pësuan ndryshime në formë me kalimin e kohës për shkak të erozionit, zhdukjes, për shkak të vjedhjes ose shkatërrimit për shkak të faktorëve njerëzorë. Këta luanë guri të mbetur mund të ndahen në luanë të vjetër ose tradicionalë dhe luanë të rinj ose modernë për sa i përket stilit.
Në këtë klasifikim, luanët e vjetër dhe modernë kanë dallime të dukshme me njëri-tjetrin, dhe dallimi më i dukshëm mund të shihet në formën dhe imazhin e luanëve. Luanët e vjetër dhe tradicionalë në të gjithë rajonin Bakhtiari pa përjashtim kanë një formë abstrakte dhe joreale dhe të gjithë janë në këmbë ose në një pozicion gjysmë të ngritur. Gjëja e rëndësishme për formën e luanëve të vjetër dhe abstraktë është se nuk ka pozicion ulur apo fjetur në to. Duke ekzaminuar dhjetëra modele të vjetra dhe tradicionale në të gjithë rajonin Bakhtiari, asnjë skulpturë luani nuk është gdhendur i ulur apo duke fjetur. Por luanët e sotëm dhe ata bashkëkohorë kanë një imazh natyral, të ekzagjeruar dhe të madh, në këmbë dhe ulur.
Luanët e gurit janë të vendosur kryesisht në rajonet Hafshexhan, Farsan dhe Shahrekord në provincën Chahar Mahal Bakhtiari, në rajonin Aligudarz në Lorestanin lindor dhe në fushat Sosan dhe Izeh në provincën Khuzestan. Khuzestani njihet si një muze i hapur i luanëve prej guri për shkak të bollëkut dhe shpërndarjes së luanëve prej guri në këtë rajon nga e kaluara e lashtë.
Vetë luani vendoset mbi varr si element simbolik dhe ritual. Në trupin e kësaj kafshe janë skalitur dhe gdhendur edhe elemente dhe forma simbolike që bartin mesazh të caktuar. Elementet dhe rolet e materialeve të gdhendura në trupin e luanëve ndahen në pesë kategori: mjete lufte, kafshë, njerëz, bimë dhe kaligrafi. Dizajni dhe pastaj vizatimi mendor dhe më pas skulpturimi i tyre në trupin e luanëve është aspekti estetik i luanëve prej guri. Këta gurë janë gdhendur në atë mënyrë që skajet e duarve dhe këmbëve të luanëve prej guri vendoseshin në sipërfaqen e gurit në mënyrë që ata të varroseshin në tokë për të mbajtur luanin në këmbë dhe duart shtriheshin përpara për mbrojtje. Sigurisht, mënyra e gdhendjes së këtyre statujave ishte gjithashtu e ndryshme tek fiset e ndryshme, si gdhendja e formës së shpatës, kamës ose topuzit në statuja. Në dialektin Bakhtiari, këto skulptura quhen "barde shir". Anët e luanëve janë zbukuruar me shpata, kuaj, armë dhe tespihe, ndërsa në shtyllat e tyre janë gdhendur të dhënat e të ndjerit.
Një nga qytetet më të rëndësishme ku ekzistojnë këta luanë prej guri, është Hafshexhani. Qyteti i Hafshexhanit ka luanët më të bukur në këtë rajon. Ky qytet ka një sfond dhe histori të lashtë, i cili ndodhet 15 kilometra në jugperëndim të Shahrekord dhe rrëzë vargmalit Xhahanbin. Sipas qeramikës dhe veglave primitive prej guri të zbuluara në zonat antike, Hafshexhani daton që nga mijëvjeçari i VII para erës së re, që do të thotë se është më shumë se 9000 vjet i vjetër.
Luanët prej guri më të vjetër dhe më të bukur mund të shihen në varret e këtij qyteti. Këtu zakonisht vendoseshin luanët e gurtë mbi varret e heronjve, martirëve dhe djemve të rinj. Guri ishte kryesisht prej mermeri dhe silici, i cili ishte shumë rezistent ndaj erozionit dhe kushteve klimatike, veçanërisht motit të ftohtë, por sot është prej kristali dhe guri të bardhë. Luani prej guri më i vjetër ekzistues i përket periudhës Safavide, megjithëse thuhet se luani prej guri është një relike e periudhës së Medëve. Në trupin e këtyre luanëve të gurit të qytetit Hafshexhan janë gdhendur imazhet e pushkës, shpatës, selvisë me hark, simbole të pavdekshmërisë së shpirtit, kalorës me shpata, kuaj të shaluar gati për rrugëtim, shtiza dhe pemë.
Përveç luanëve prej guri, gurët e varreve të varrezave të këtij qyteti janë gurë varresh horizontale, vertikale ose me altar dhe si statuja. Gurët vertikalë janë në formën e një altari. Modelet përfshijnë dy pëllumba që përfaqësojnë një lajmëtar, një lule dhe një vazo, dhe motive islamike dhe fjalët e “Huve el Bakij” (Zoti është i pavdekshëm), “Bismillah al-Rahman al-Rahim”, “Huve el Haj el-ledhi la jemut” (Zoti është i gjallë i cili nuk vdes) dhe fraza të ngjashme. Në katërqind vitet e fundit, gurgdhendës nga Hafshexhani kanë qenë përgjegjës për shumicën e veprave historike të provincave të Chaharmahal dhe Bakhtiarit, si dhe të Khuzestanit.
Të dashur miq, kemi mbërritur në fund të këtij episodi të podkastit “Së bashku me thesaret historike të Iranit”. Ju mund të dërgoni kritikat, pyetjet dhe sugjerimet tuaja përmes faqes sonë. Do të dëshironim shumë të dinim mendimet dhe pikëpamjet tuaja për këtë podkast dhe podkastet tona të tjera dhe për të ndërvepruar dhe shkëmbyer ide me njëri-tjetrin. Ne gjithashtu do t’ju jemi shumë mirënjohës që nëse ju pëlqen përmbajtja e podkast-it, ju lutemi ta ndani atë me miqtë dhe familjarët tuaj dhe t’ua prezantoni atë edhe të tjerëve.
Programet tona mund t'i ndiqni në faqen e radios https://iranradio.ir/sq/. Tekstin e këtij programi mund ta lexoni në faqen https://parstoday.ir/sq