Sulm parandalues i Jemenit ndaj anijes amerikane
Forcat e Armatosura të Jemenit kanë vënë në shënjestër një aeroplanmbajtëse amerikane në Detin e Kuq për të katërtën herë në 72 orët e fundit.
Sipas agjencisë iraniane të lajmeve IRNA, duke cituar nga rrjeti televiziv Al-Masirah, zëdhënësi i Forcave të Armatosura të Jemenit njoftoi mëngjesin e sotëm, të mërkurën, se forcat e armatosura të vendit, në një aksion parandalues, shënjestruan me disa raketa dhe dronë për të katërtën herë në 72 orët e fundit aeroplanmbajtësen amerikane "USS Harry Truman".
Gjeneral-brigade Yahya Saree njoftoi se forcat e armatosura jemenase monitoruan lëvizjet armiqësore në Detin e Kuq për një sulm në shkallë të gjerë në territorin e Jemenit dhe, në përgjigje të këtyre veprimeve armiqësore, forca raketore, forca detare dhe ajo e dronëve të Jemenit kryen një operacion të përbashkët me disa raketa lundrimi (cruise) dhe dronë kundër aeroplanmbajtëses "USS Harry Truman" dhe skuadriljes që e shoqëronte, duke penguar operacionet e tyre kundër Jemenit.
Yahya Saree njoftoi gjithashtu se ushtria jemenase, në mbështetje të popullit të shtypur palestinez, shënjestroi bazën ajrore izraelite Nevatim në territoret e pushtuara me një raketë balistike hipersonike të tipit "Palestine-2".
Ai shtoi: “Nëse agresioni kundër Rripit të Gazës nuk ndalet, gama e objektivave në Palestinën e pushtuar do të zgjerohet në orët dhe ditët në vijim. Udhëheqja, populli dhe ushtria e Jemenit nuk qëndrojnë të heshtur përballë krimeve kundër vëllezërve palestinezë në Gaza”.
Të martën në mbrëmje, avionët luftarakë amerikanë sulmuan zonat në provincën Saada, që ndodhet në veri të Jemenit.
Rrjeti televiziv Al-Masira raportoi se avionët luftarakë amerikanë shënjestruan zonën Takhiyeh në qytetin Majz, që ndodhet në provincën Saada në veri të Jemenit.
Që nga e diela, qeveria amerikane, me urdhër të presidentit të këtij vendi, Donald Trump, ka rifilluar dhe intensifikuar sulmet ajrore në tokën jemenase, për të mbështetur anijet e lidhura me regjimin sionist.