Irani paralajmëron SHBA-të kundër  çdo provokimi
(last modified Fri, 25 Dec 2020 18:53:26 GMT )
Dhjetor 25, 2020 19:53 Europe/Tirane
  • Irani paralajmëron SHBA-të kundër  çdo provokimi

Ministri i Jashtëm iranian Muhamed Xhavad Zarif ka reaguar ndaj akuzave të fundit të Presidentit të SHBA Donald Trump kundër Teheranit.

Në një postim, Muhamed Xhavad Zarif tha se Trump nuk mund të shkëpusë vëmendjen nga dështimet e tij katastrofike duke vënë në rrezik qytetarët e tij jashtë vendit. Presidenti amerikan në largim të Mërkurën paralajmëroi se ai do ta konsideronte "Iranin përgjegjës" për një sulm fatal ndaj amerikanëve në Irak, ndërsa po afron përvjetori i parë i vdekjes së Gjeneralit iranian Kasem Soleimani. "Ambasada jonë në Bagdad u godit të Dielën nga disa raketa", tha presidenti në largim i SHBA në Twitter, duke përmendur një sulm që shkaktoi dëme materiale, por jo vdekje. "Merreni me mend se nga kanë ardhur: IRANI," shtoi ai. Sekretari i Shtetit Mike Pompeo bëri gjithashtu të njëjtat deklarata, duke thënë se grupet e mbështetura nga Irani e kryen sulmin. Teherani i hodhi poshtë akuzat si të papërgjegjshme e të pabaza, duke thënë se Uashingtoni donte të krijonte tensione në rajon me pretendime të rreme. Uashingtoni tashmë ka zvogëluar stafin e tij diplomatik në kryeqytetin irakian dhe spekulimet për një mbyllje të plotë të ambasadës së SHBA, janë rishfaqur në ditët e fundit. Diplomacia iraniane duke iu përgjigjur akuzave të reja dhe të pabazuara kundër Iranit, të enjten e quajti qëndrimin e administratës së mbaruar dhe jopopullore të Trump një "ikje përpara". Ndërsa refuzoi akuzat e "pabaza" dhe "të trilluara" të Donald Trump dhe Komandës Qendrore të Ushtrisë Amerikane (Centcom), zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Said Khatibzadeh tha: "Siç kemi thënë shumë herë më parë, sulmet ndaj ambienteve diplomatike dhe rezidenciale janë të papranueshme në politikën e jashtme të Iranit. Në këtë rast të veçantë, ne duhet të drejtojmë gishtin nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre të cilët kërkojnë të mbjellin tensione dhe trazira të reja në rajon." Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane përfundoi duke lëshuar një paralajmërim të ashpër për presidentin në largim të SHBA-së: "Shmangni nxitjen e tensioneve dhe aventurave të rrezikshme në këto ditë të fundit të jetës suaj politike në Shtëpinë e Bardhë. " "Në kontekstin aktual, Republika Islamike e Iranit e konsideron qeverinë amerikane përgjegjëse për pasojat e çdo veprimi të pamatur," tha zëdhënësi i diplomacisë iraniane.

 

Tags