Ruhani: Marrëveshja bërthamore nuk mund të rinegociohet
Presidenti iranian Hasan Ruhani tha të martën se disa veprime të domosdoshme duhet të ndërmerren për kanalin financiar zviceran dhe të realizuar projektet e përbashkëta që janë ndalur për shkak të politikave të SHBA.
Presidenti Hasan Ruhani zhvilloi një bisedë telefonike me homologun e tij zviceran Guy Parmelin duke diskutuar çështje me interes të përbashkët, duke përfshirë marrëveshjen bërthamore, lidhjet dypalëshe, si dhe sigurinë dhe stabilitetin rajonal. Ai i cilësoi marrëdhëniet Teheran-Bern si të thella, duke vënë në dukje se lidhjet e ndërsjella duhet të zgjerohen. Marrëdhëniet dypalëshe kanë qenë të kënaqshme në fusha të ndryshme politike, kulturore dhe ekonomike duke përfshirë transportin, shëndetësinë, mjekësinë, bujqësinë, si dhe shkencën dhe teknologjinë, madje edhe në rrethanat e sanksioneve të vendosura nga SHBA, theksoi Presidenti iranian. Rinegocimi i marrëveshjes bërthamore është i pamundur dhe mund të konsiderohet si shkelje e Rezolutës 2231 të Këshillit të Sigurimit të OKB, nënvizoi ai. Presidenti Ruhani vazhdoi duke thënë se nëse sanksionet hiqen realisht nga SHBA, Irani do të rifillojë angazhimet që ai i ka reduktuar sipas marrëveshjes. Duke prekur situatën katastrofike të popullit jemenas, Ruhani kërkoi një armëpushim të menjëhershëm, shpërndarjen e ndihmave humanitare, parandalimin e transferimeve të armëve në disa shtete të rajonit dhe negociatat ndër-jemenase si zgjidhja përfundimtare për rivendosjen e paqes dhe stabilitetit në këtë vend. Presidenti zviceran Guy Parmelin, nga ana e tij, tha se vendi i tij do të përpiqet të transferojë pasuritë e Iranit në shtetet e tjera në kanalin financiar zviceran. Ai bëri thirrje për kthimin e sigurisë në Jemen dhe rritjen e bashkëpunimit rajonal, duke deklaruar se Irani, duke pasur parasysh rolin e tij efektiv në rajon, mund të ndihmojë në rivendosjen e stabilitetit në Jemen me ndihmën e vendeve të tjera, përfshirë Bashkimin Evropian.