Sjellja e SHBA do të përcaktojë rezultatin e bisedimeve bërthamore
Ministri i Jashtëm iranian Hossein Amir-Abdollahian deklaroi se sjellja e Shteteve të Bashkuara do të përcaktojë rezultatin e bisedimeve bërthamore të Iranit me fuqitë botërore, duke theksuar se Teherani nuk i beson seriozitetit të Uashingtonit për kthimin në marrëveshjen bërthamore me Iranin.
Amir-Abdollahian i bëri këto deklarata të Premten gjatë një konference për shtyp të mbajtur në margjinat e Sesionit të 76-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York. "Kriteri ynë është sjellja praktike që vërejmë nga politikanët dhe pushtetarët amerikanë. Ne do të marrim vendime bazuar në sjelljen praktike të Presidentit amerikan Joe Biden,” tha diplomati i lartë iranian. Duke iu referuar marrëveshjes bërthamore, Amir-Abdollahian vuri në dukje se SHBA nga njëra anë këmbëngul në kthimin në marrëveshje dhe i kërkon Iranit të kthehet në bisedimet e Vjenës, por në të njëjtën kohë vendos sanksione të reja ndaj Republikës Islamike. Ai tha se një sjellje e tillë është paradoksale dhe nuk përmban një mesazh konstruktiv. “Është sjellja e Shteteve të Bashkuara ajo që do të përcaktojë rezultatin e bisedimeve bërthamore. Që kur z. Biden mori detyrën, ai ka bërë vetëm deklarata kontradiktore në vend që të ndërmarrë veprime konstruktive," theksoi Amir-Abdollahian. Ministri i Jashtëm iranian tha më tej se qeveria e re në Iran, e udhëhequr nga Presidenti Ebrahim Raisi, është një qeveri pragmatike. Ai tha se Irani do të kthehet në bisedimet e Vjenës për të ringjallur marrëveshjen bërthamore, por nuk do ta lidhë ekonominë e tij me marrëveshjen bërthamore, duke theksuar se Irani do të kthehet në përputhje të plotë me marrëveshjen nëse palët perëndimore e bëjnë këtë.