Amir-Abdollahian në Bejrut për thellimin e marrëdhënieve Iran-Liban
https://parstoday.ir/sq/news/iran-i124382-amir_abdollahian_në_bejrut_për_thellimin_e_marrëdhënieve_iran_liban
Ministri i Jashtëm i Iranit Amir-Abdollahian mbërriti të enjten në Bejrut për të diskutuar me autoritetet e larta libaneze çështjet me interes të përbashkët, si dhe zhvillimet në rajonin e Lindjes së Mesme.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Mars 24, 2022 14:51 Europe/Tirane
  • Amir-Abdollahian në Bejrut për thellimin e marrëdhënieve Iran-Liban

Ministri i Jashtëm i Iranit Amir-Abdollahian mbërriti të enjten në Bejrut për të diskutuar me autoritetet e larta libaneze çështjet me interes të përbashkët, si dhe zhvillimet në rajonin e Lindjes së Mesme.

Duke kryesuar një delegacion diplomatik të rangut të lartë, diplomati i lartë iranian mbërriti nga Damasku si pjesë e një turneu rajonal që përfshin takime të profilit të lartë. Sipas Agjencisë Kombëtare të Lajmeve të Libanit, Amir-Abdollahian gjatë vizitës së tij në Bejrut do të takohet me Presidentin libanez Mishel Aun, Kryetarin e Parlamentit Nabih Berri, Kryeministrin Naxhib Mikati, homologun e tij libanez Abdallah Bu Habib si dhe një numër figurash politike. “Jemi në Bejrut sepse marrëdhëniet mes Iranit dhe Libanit janë të shkëlqyera. Ne kemi konsultime të rregullta dhe konstruktive me zyrtarët libanezë për çështje dypalëshe, rajonale dhe ndërkombëtare”, u tha ai gazetarëve pas mbërritjes në aeroportin e Bejrutit. Ai shtoi: “Nga udhëtimi im i fundit në Bejrut e deri më tani, kanë ndodhur shumë zhvillime rajonale dhe ndërkombëtare. Prandaj, është e nevojshme të kemi konsultime më të detajuara me zyrtarët libanezë, duke pasur parasysh vendosmërinë që ekziston si në Republikën Islamike të Iranit, ashtu edhe në Liban.” Amir-Abdollahian tha: “Ne deklarojmë edhe një herë se jemi gati të vazhdojmë mbështetjen dhe bashkëpunimin tonë të rëndësishëm tregtar dhe ekonomik me Libanin”. Ai shprehu gatishmërinë e Republikës Islamike të Iranit për të ndërtuar dy termocentrale 1000 megavat në Liban dhe për të zhvilluar plotësisht bashkëpunimin tregtar dhe ekonomik me Libanin. Ministri i Jashtëm i Iranit u shpreh se "Republika Islamike e Iranit ka dëshmuar se qëndron me miqtë e saj në ditë të vështira. Ne kemi bërë propozime të tjera për të punuar me Libanin për të kapërcyer situatën aktuale të vështirë ekonomike, të cilat do të diskutohen nga zyrtarë të lartë libanezë." I pyetur nga gazetarët mbi mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje në bisedimet e Vjenës, Amir-Abdollahian tha se Irani është gati për një marrëveshje të mirë, të fortë dhe të qëndrueshme në Vjenë, por jo me çmimin e kalimit të vijave të kuqe.