Irani e konsideron sigurinë e Armenisë si sigurinë e tij
Ministri i Jashtëm iranian Hossein Amir-Abdollahian theksoi bashkëpunimin dypalësh midis Teheranit dhe Jerevanit, duke thënë se Irani e konsideron sigurinë e Armenisë si sigurinë e vet dhe të rajonit.
Amir-Abdollahian i bëri këto komente duke iu drejtuar ceremonisë së inaugurimit të konsullatës së Iranit në qytetin armen Kapan. Ai ofroi gatishmërinë e Iranit për hapjen e Konsullatës së Përgjithshme të Armenisë në Tabriz, duke thënë se vendimi i Iranit për ngritjen e Konsullatës së Përgjithshme në Kapan dëshmon për marrëdhëniet e kahmotshme mes dy vendeve. Politika jonë është të respektojmë sovranitetin dhe integritetin territorial dhe kolegët e mi në Ambasadën iraniane në Jerevan po përpiqen të nxisin bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve, tha ministri i Jashtëm iranian. Ai shtoi se provinca e Siunikut në Armeni është një nga korridoret kryesore nga veriu në jug dhe Teherani e konsideron Armeninë si një nga rrugët e rëndësishme të tranzitit ndërmjet veriut dhe jugut. "Ne do të bashkëpunojmë me qeverinë armene për të zgjeruar këtë rrugë tranziti dhe për të përshpejtuar lëvizjen e kamionistëve, mallrave dhe pasagjerëve", tha ministri i Jashtëm iranian. Ndërkohë, ministri i Jashtëm armen, Ararat Mirzojan tha se për Armeninë Irani ka qenë dhe do të jetë gjithmonë partner dhe të dyja palët gëzojnë bashkëpunim të gjerë në fushën politike, ekonomike dhe energjetike. "Të jeni të sigurt se do të jeni gjithmonë të mbështetur nga Ministria e Punëve të Jashtme të Armenisë për misionin tuaj të suksesshëm", vuri në dukje ministri i Jashtëm armen.