Irani mohon sërish dërgimin e dronëve në Rusi
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane ka hedhur poshtë edhe një herë pretendimet perëndimore për dërgimin e armëve dhe dronëve nga Irani në Rusi për t'u përdorur kundër Ukrainës, duke thënë se Teherani ka pasur bashkëpunim të gjatë me Moskën për mbrojtjen dhe synon një zgjidhje të konfliktit përmes dialogut dhe diplomacisë.
Në një intervistë me gazetën e përditshme kroate Večernji list të publikuar të martën, Naser Kanani shtjelloi qëndrimin e Iranit në lidhje me luftën në Ukrainë. “Irani kundërshton fuqishëm luftën dhe armatimin e secilës palë në konfliktin ukrainas”, tha Kanani duke shtuar: “Ne u kemi thënë zyrtarëve ukrainas që nëse kanë, të paraqesin provat e tyre në lidhje me përdorimin e dronëve iranianë në luftën në Ukrainë. Irani ka pasur bashkëpunim të mbrojtjes me Rusinë për shumë vite, por ne nuk e mbështetëm luftën kundër Ukrainës". Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane theksoi gjithashtu se Republika Islamike po bën përpjekje për të ndalur konfliktin në Ukrainë përmes dialogut dhe diplomacisë midis dy palëve ndërluftuese. “Ne kemi marrëdhënie të mira me Rusinë dhe kemi pasur bashkëpunim në fushën e mbrojtjes në të kaluarën, por politika jonë ndaj luftës në Ukrainë është të respektojmë integritetin territorial të të dy vendeve, të mos u dërgojmë armë palëve ndërluftuese dhe të bëjmë thirrje për fundin e luftës dhe të shpërnguljes së njerëzve,” shtoi ai.