Komandantët e lartë ushtarakë të Iranit: Regjimi izraelit në grahmat e fundit
Komandantët më të lartë ushtarakë të Iranit theksuan se Izraeli është në grahmat e fundit teksa bota myslimane shprehu mbështetje të pandërprerë për Palestinën në Ditën Ndërkombëtare të Kudsit.
Myslimanët në Iran dhe vende të tjera dolën në rrugë të premten për të shprehur solidaritetin me popullin e shtypur palestinez dhe për të dënuar krimet e Izraelit. Disa komandantë të rangut të lartë iranianë iu drejtuan tubimeve, duke theksuar rënien e afërt të pushtuesve sionistë. "Dita e Kudsit manifeston rëndësinë e Palestinës në botën muslimane pasi çështja e Palestinës nuk kufizohet vetëm në okupim, por është një shenjë e konfrontimit midis frontit të arrogancës dhe muslimanëve," tha kryekomandanti i ushtrisë iraniane, gjeneralmajor Abdolrahim Mousavi, duke iu drejtuar tubimeve në Tabriz, në Iranin veriperëndimor. Armiqtë e Islamit po punojnë për ta mbajtur çështjen palestineze larg opinionit publik të myslimanëve përmes propagandës së gjerë, në mënyrë që "regjimi fëmijëvrasës sionist " të mund të vazhdojë krimet e tij, tha ai. "Mbrojtja e Palestinës është e barabartë me mbrojtjen e sigurisë rajonale dhe nuk ka dyshim se rënia e regjimit sionist do të sjellë paqe dhe siguri në rajon," tha gjeneralmajor Abdolrahim Mousavi. "Regjimi sionist është në grahmat e fundit," tha ai, duke vënë në dukje se gjatë muajve të fundit balanca ka ndryshuar në favor të rezistencës. Gjeneralmajor Hosein Salami, komandanti përgjithshëm i Korpusit të Gardës së Revolucionit Islamik (IRGC), u tha demonstruesve në Isfahan se "një jetë e re i është dhënë lëvizjes së rezistencës palestineze". "Operacionet po kryhen në Bregun Perëndimor dhe në Tel Aviv dhe ne shohim një regjim që është rrethuar me mure si një garnizon i tmerruar, që është i pajisur me sistemet më moderne të sigurisë që nuk mund të pengojnë dërgimin e armëve në Bregun Perëndimor dhe operacionet e luftëtarëve palestinezë”, tha ai.