Presidenti i Iranit do të vizitojë Damaskun
Presidenti iranian Ebrahim Raisi është planifikuar të kryejë një vizitë zyrtare në Siri për bisedime me homologun e tij sirian, Bashar al-Assad dhe zyrtarë të tjerë të lartë sirianë.
Sipas agjencisë zyrtare të lajmeve të Iranit, IRNA, Raisi do të mbërrijë në Damask të mërkurën, i shoqëruar nga një delegacion i përbërë nga zyrtarë të lartë politikë dhe ekonomikë iranianë. Gjatë vizitës së tij dyditore, Presidenti iranian do të diskutojë me zyrtarë të lartë sirianë për zgjerimin e mëtejshëm të marrëdhënieve politike si dhe nxitjen e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar midis Teheranit dhe Damaskut. Ambasadori i Iranit në Damask Hossein Akbari gjithashtu njoftoi vizitën e ardhshme në një postim në Twitter, duke shtuar se kjo vizitë bëhet me ftesë zyrtare nga presidenti Asad. Udhëtimi i Raisit në Damask do të jetë vizita e parë e një presidenti iranian në më shumë se një dekadë. Ndërkohë, agjencia zyrtare siriane e lajmeve SANA konfirmoi gjithashtu vizitën të hënën, duke thënë se Presidenti iranian dhe ai sirian pritet të diskutojnë marrëdhëniet dypalëshe, marrëveshjet e përbashkëta politike dhe ekonomike si dhe zhvillimet rajonale.