Shefi ushtarak i Iranit mbërrin në Oman për vizitë zyrtare
Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura të Iranit, gjeneralmajor Mohammad Bagheri ka mbërritur në kryeqytetin e Omanit, Muskat për bisedime me zyrtarë ushtarakë dhe politikë të vendit.
Gjeneralmajor Bagheri, i cili kryeson një delegacion të rangut të lartë ushtarak, mbërriti në Oman të dielën me ftesë të homologut të tij omanez, admiral Abdullah bin Khamis Arraisi. Gjeneralmajor Bagheri dhe shoqëruesit e tij u pritën nga homologu i tij omanez në Muskat. Me të mbërritur në kryeqytetin e Omanit, Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura të Iranit shprehu mirënjohjen e tij për qëndrimin në vendin arab dhe vuri në dukje se ai dhe komandantë të tjerë ushtarakë iranianë do të diskutojnë me homologët e tyre nga Omani mënyrat për të nxitur bashkëpunimin midis forcave të armatosura të të dy vendeve. "Sigurisht që udhëtimi ynë në Oman do të ketë efekte të rëndësishme në zhvillimin e bashkëpunimit dhe avancimin e paqes dhe miqësisë në rajon", tha ai, duke shtuar se do të takohet me komandantët e lartë të forcave të armatosura dhe zyrtarë të tjerë politikë të Omanit. Ai përsëriti se çështjet rajonale dhe mënyrat e zhvillimit të paqes, bashkëpunimit, sigurisë dhe qetësisë në rajon do të diskutohen në bisedimet e tij me zyrtarët e Omanit.