Liderët e BRICS mirëpresin anëtarësimin e Iranit në këtë grup
Irani është bërë zyrtarisht një anëtar i grupit të ekonomive në zhvillim BRICS, udhëheqësit e të cilit ndodhen në Johannesburg, Afrikë e Jugut, për të diskutuar zgjerimin e bllokut.
Presidenti i Afrikës së Jugut Cyril Ramaphosa njoftoi të enjten më 24 gusht se vendet anëtare të BRICS kanë rënë dakord për pranimin e Iranit, Argjentinës, Egjiptit, Etiopisë, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Arabisë Saudite si anëtarë të plotë në bllok. Mohammad Jamshidi, zëvendës shefi i kabinetit të presidentit iranian për çështjet politike, tha se anëtarësimi i Iranit në BRICS është një "zhvillim historik" dhe një "arritje strategjike" në politikën e jashtme. Në fillim, grupi përfshinte Brazilin, Rusinë, Indinë, Kinën dhe Afrikën e Jugut, të cilat së bashku përbëjnë rreth 40% të popullsisë së botës dhe një të katërtën e produktit të brendshëm bruto botëror (PBB). Irani ishte në mesin e dhjetëra vendeve që aplikuan zyrtarisht për anëtarësim në BRICS. Presidenti kinez Xi Jinping në fillim të një takimi me presidentin iranian Ebrahim Raisi deklaroi se Kina është e gatshme të rrisë bashkëpunimin me Iranin në BRICS dhe platforma të tjera, disa orë pasi grupi i ekonomive në zhvillim ftoi zyrtarisht Republikën Islamike të bëhet anëtare e plotë. Xi e uroi Iranin për anëtarësimin në grupin BRICS. "Kina është e gatshme të konsolidojë miqësinë dhe të thellojë besimin e ndërsjellë me palën iraniane dhe të vazhdojë të mbështesë njëra-tjetrën në çështjet e interesave thelbësore të përbashkëta," tha presidenti kinez. Raisi, nga ana e tij, tha se Irani është i gatshëm t'i japë një shtysë bashkëpunimit të tij dypalësh me Kinën dhe të ndihmojë në rritjen e multilateralizmit, duke theksuar se anëtarësimi i Iranit në BRICS do të forcojë gjithashtu qasjet thelbësore të grupit, duke përfshirë kundërshtimin ndaj unilateralizmit të SHBA. Kryeministri indian Narendra Modi zhvilloi gjithashtu bisedime të gjera me Presidentin Raisi, gjatë të cilave ata shqyrtuan lidhjet dypalëshe duke përfshirë në fushat e tregtisë dhe investimeve, energjisë, luftës, kundër terrorizmit dhe çështjet e Afganistanit. Modi shprehu kënaqësinë për anëtarësimin e Iranit në grupin BRICS. Në një takim të veçantë me zotin Raisi, presidenti brazilian Luiz Inacio Lula da Silva uroi Republikën Islamike për anëtarësimin në grupin BRICS. Ai tha se ka shumë mundësi për të zgjeruar bashkëpunimin mes dy vendeve në fushën e shkëmbimeve shkencore, teknologjike, akademike dhe kulturore. Presidenti i Brazilit denoncoi sanksionet si një "armë kriminale" kundër kombeve të botës që synon popujt e vendeve të sanksionuara. Presidenti Raeisi shprehu kënaqësinë për rizgjedhjen e Lulas, duke theksuar nevojën për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh. Ai përmendi gjithashtu pranimin e zyrtarëve amerikanë për dështimin skandaloz të politikës së “presionit maksimal” kundër Iranit. Raisi tha se pavarësisht sanksioneve mizore, përparimet e Iranit në shkencë dhe teknologji kanë ecur me hapa të mëdhenj.