Lideri Suprem: Palestinezët janë të destinuar për fitore të plotë
Lideri Suprem i Revolucionit Islamik, Ajetollah Khamenei, deklaroi se lëvizja që filloi në Palestinë do të vazhdojë dhe do të çojë në fitoren e plotë të palestinezëve. Gjatë një takimi të shtunën, më 14 tetor, me klerikun e shquar nigerian Shejh Ibrahim Zakzaki, i cili është duke vizituar Teheranin, Ajetollah Khamenei diskutoi situatën në territoret palestineze.
Rripi i Gazës i rrethuar është nën sulmet më të ashpra ajrore izraelite për të shtatën ditë radhazi që nga operacioni i befasishëm i Hamasit të shtunën e kaluar.
“Sot, fuqia e Islamit po manifestohet në zhvillimet që po ndodhin territoret palestineze”, deklaroi Lideri Suprem i Revolucionit Islamik. Ai shprehu keqardhjen për atë që po ndodh sot në Palestinë, bombardimet e zonave civile, vdekjen e mijëra njerëzve të pafajshëm, mizoritë që “prekin zemrën e çdo qenieje njerëzore”.
Më tej, Ajetollah Khamenei theksoi: “Me hirin dhe mëshirën e Zotit të Plotfuqishëm, kjo lëvizje që filloi në Palestinë do të shkojë më tej dhe do të çojë në fitoren e plotë të palestinezëve. Të gjithë në botën islame kanë për detyrë të ndihmojnë popullin palestinez".
Lideri Suprem i Revolucionit Islamik vlerësoi përpjekjet e Shejh Zakzakit dhe ato të familjes së tij në Afrikë dhe shtoi: “Ju jeni shembulli i muxhahidit të vërtetë [luftëtarit islam] për çështjen e Allahut dhe ne shpresojmë që lufta juaj për Islamin të vazhdojë”.
"Lëvizja islame po rritet në pjesë të ndryshme të botës si në Afrikë, Azi, Evropë dhe në Amerikën e Veriut. Krijimi i sistemit islamik dhe i një qeverie të bazuar në mendimin politik islam pas shumë shekujsh në Iran pasqyron fuqinë e Islamit, vuri në dukje Ajetollah Khamenei duke shtuar: “Që nga krijimi i saj, Republika Islamike çdo ditë është bërë më e fortë se kurrë". Zakzaky dhe gruaja e tij mbërritën në Teheran të mërkurën me një pritje të ngrohtë pas përfundimit të arrestit të tij në shtëpi në Abuja.
Në vitin 2015, trupat e ushtrisë nigeriane sulmuan rezidencën e Shejh Zakzakit dhe një objekt që i përkiste Lëvizjes Islamike në Nigeri, duke vrarë mbi 3,040 nga mbështetësit e tij në qytetin Zaria, në shtetin Kaduna. Shejh Zakzaki dhe gruaja e tij kanë humbur gjashtë djemtë e tyre, tre prej të cilëve u vranë gjatë masakrës në Zaria.