Ghalibaf: Do t'i përgjigjemi me forcë çdo agresioni kundër Iranit
Kryetari i Parlamentit iranian, i cili ka vizituar Libanin, tha se Irani do t'i japë një përgjigje të fortë e të përshtatshme çdo agresioni të regjimit sionist.
Sipas agjencisë së lajmeve ISNA, Kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Baker Ghalibaf, i cili mbërriti në Bejrut të shtunën për një vizitë zyrtare, bëri të ditur se Irani do t'i përgjigjet me vendosmëri çdo agresioni të mundshëm të Izraelit, gjithashtu edhe çdo pike nga e cila do të zhvillohet agresioni.
Duke folur për rrjetin televiziv Al-Mayadeen, Kryetari i Parlamentit iranian, në përgjigje të një pyetjeje për sulmin dhe agresionin e mundshëm të Izraelit ndaj Iranit tha: "Ne e kemi deklaruar shumë herë se ajri dhe toka e vendeve fqinje nuk duhet të përdoren për të sulmuar vendin tonë. Nëse kjo ndodh, përgjigja jonë do të jetë e qartë dhe e natyrshme, sepse ne patjetër do t'i përgjigjemi çdo vendi nga kryhet sulmi ndaj Iranit."
Ghalibaf theksoi: "Jemi të sigurt se fqinjët tanë në Lindjen e Mesme do ta marrin në konsideratë këtë çështje, ashtu siç janë zotuar edhe në të kaluarën që ta bëjnë këtë; dhe ne kemi marrëdhënie paqësore me të gjitha vendet e rajonit."
Ghalibaf gjithashtu, në lidhje me mbështetjen e Iranit për popullin e Libanit dhe të Palestinës, tha: "Populli ynë dhe i gjithë Ummeti Islam e mbështesin materialisht dhe shpirtërisht popullin e Libanit dhe të Palestinës. Sigurisht që ne do të marrim pjesë në rindërtimin e infrastrukturës dhe të zonave të dëmtuara."
Më tej, ai theksoi: "Ajo që është përhapur në lidhje me gjeneralin Ismail Kaani është një lajm i rremë, që po publikohet në mënyrë të njëanshme. Gjeneral Kaani është në gjendje të mirë shëndetësore dhe vazhdon të kryejë detyrat e tij të veçanta."