Irani mirëpret ndërprerjen e agresionit ushtarak të regjimit sionist kundër Libanit
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit përshëndeti ndërprerjen e agresionit të regjimit sionist kundër Libanit dhe theksoi mbështetjen e vendosur të Iranit për qeverinë, popullin dhe Rezistencën libaneze.
Sipas agjencisë së lajmeve ISNA, Ismail Baghaei, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Islamike të Iranit, përshëndeti lajmin për ndërprerjen e agresionit të regjimit sionist kundër Libanit dhe theksoi mbështetjen e vendosur të Republikës Islamike të Iranit për qeverinë, popullin dhe Rezistencën libaneze.
Baghaei, duke vënë në dukje qëndrimin konstant të Republikës Islamike të Iranit në lidhje me nevojën e ndalimit të menjëhershëm të luftës kundër Gazës dhe Libanit dhe lëvizjet e gjera diplomatike të Iranit për të arritur këtë qëllim gjatë 14 muajve të fundit, rikujtoi: "Rezultati i luftënxitjes dhe i krimeve të regjimit sionist, i shoqëruar me mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të disa qeverive evropiane, ka qenë martirizimi i 60 mijë njerëzve të pafajshëm, plagosja e 120 mijë personave të tjerë, shpërngulja e më shumë se 3,5 milionë personave, banorë të popujve të vuajtur të Palestinës dhe Libanit, si dhe shkatërrimi i gjerë i infrastrukturës jetike në Rripin e Gazës dhe në Liban."
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit shtoi: "Duke pasur parasysh urdhrat e përkohshëm të lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë për parandalimin e gjenocidit si dhe urdhrit për arrestimin e liderëve të regjimit sionist nga Gjykata Ndërkombëtare Penale me akuza për krime lufte, opinioni publik botëror, i cili në 14 muajt e fundit bëri thirrje për ndërprerjen e luftës dhe të gjenocidit, sot po pret gjykimin dhe ndëshkimin e kriminelëve të regjimit pushtues."