Irani do të marrë masa nëse Amerika shkel marrëveshjen bërthamore
Kryetari i Agjencisë së Energjisë Atomike të Iranit deklaroi se Irani do të marrë masat e nevojshme nëse Amerika shkel marrëveshjen bërthamore.
Ali Akbar Salehi, kryetar i AEAI, në një konferencë shtypi me gazetarët në Teheran deklaroi se në takim me presidentin e RII ka diskutuar masat që do të ndërmarrë Irani nëse pala amerikane shkel marrëveshjen bërthamore të nënshkruar mes Iranit dhe G 5+1. “Kur hyri në bisedimet bërthamore, Irani parashikoi se pala tjetër mund të shkelë angazhimet e saj, sepse kurrë nuk mund t’u besohet perëndimorëve”-deklaroi z. Salehi. Duke theksuar se brenda një viti e gjysmë Irani mund të shtojë dukshëm potencialin e pasurimit të uraniumit, kryetari i AEAI shtoi:” Sigurisht, Teherani nuk dëshiron që kjo të ndodhë, nuk dëshiron të dështojë marrëveshja bërthamore, prandaj do të reagojë me kujdes dhe largpamësi.” Në përfundim, Ali Akbar Salehi tha:” E këshillojmë Amerikën të respektojë marrëveshjen bërthamore, sepse në rast të kundërt, Amerika do të jetë humbësi kryesor dhe bashkësia ndërkombëtare do t’a kuptojë se kush është fajtori për këtë dështim.”