Kashkavi: Do t'i përgjigjemi në mënyrë të njëjtë vendimit të Donald Trump
Sekretari për çështje të konsullatave dhe iranianëve në diasporë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Iranit të dielën në mbrëmje në reagim ndaj veprimit të presidentit amerikan për ndalimin e hyrjes së shtetasve iranianë në territorin e SHBA, deklaroi: "Këtij veprimi të Qeverisë së Amerikës në çfarëdo niveli që të jetë, ne do t'i përgjigjemi në mënyrë të njëjtë".
Agjencia shtetërore iraniane e lajmeve njoftoi se Hasan Kashkavi në një intervistë me kanalin 1 të televizionit shtetëror të Iranit tha se ky veprim i Donald Trump, presidentit të Amerikës, është në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare dhe Teherani do ta ndjekë këtë çështje në qarqet ndërkombëtare. Hasan Kashkavi shtoi: "Iranianët janë pjesë e ngritur e shoqërisë amerikane, prandaj në Ministrinë e Punëve të Jashtme është formuar një shtab me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të ministrive të tjera për të shqyrtuar gjendjen e qytetarëve dhe studentëve iranianë me qëndrim në Amerikë. Vizat për shtetasit iranianë në Amerikë janë lëshuar në bazë të ligjeve të SHBA. Prandaj, ne të gjithë përfaqësive diplomatike të Iranit u kemi deklaruar se ato duhet t'i përgjigjen në mënyrë të njëjtë këtij veprimi të presidentit të Amerikës për ndalimin e hyrjes së shtetasve iranianë në Amerikë",- tha ndër të tjera Kashkavi. Vlen të theksohet se Donald Trump, presidenti i Amerikës, të premten ka nënshkruar një dekret ekzekutiv me anë të cilit ndalohet hyrja e emigrantëve dhe e shtetasve të 7 vendeve myslimane si Irakut, Iranit, Libisë, Somalisë, Sudanit, Sirisë dhe Jemenit, për një periudhë 120 ditëshe në territorin e Amerikës. Ky veprim i presidentit amerikan është përballur me protesta të gjera në Amerikë dhe në shumë vende të tjera të botës.