Trump dështon përsëri përballë gjyqësorit amerikan
Një gjykatë federale e apelit i dha një tjetër goditje sot urdhrit të rishikuar të Presidentit Donald Trump për ndalimin e udhëtimit nga gjashtë vende me shumicë myslimane, duke mbajtur anën e grupeve që thonë se urdhri vë në shënjestër në mënyrë të paligjshme myslimanët.
Gjykata e Apelit e Qarkut të 4-rt mbajti në fuqi një vendim të një gjykate më të ulët, që ndalonte administratën republikane të pezullonte në mënyrë të përkohshme lëshimin e vizave të reja për shtetasit nga Irani, Libia, Somalia, Sudani, Siria dhe Jemeni. Gjykata e apelit në Riçmond të Virxhinias është e para gjykatë që merr vendim mbi urdhrin e rishikuar që ndalon udhëtimin drejt Amerikës. Administrata e presidentit Trump kishte shpresuar se me ndryshimet që i kishin bërë urdhrit, do të shmangnin problemet ligjore që hasën me variantin e parë të tij. “Kongresi i dha presidentit fuqi të gjerë për t’u mohuar shtetasve të huaj mundësinë për të hyrë në Amerikë, por kjo fuqi nuk është absolute. Nuk mund të jetë e pakontrolluar, siç këtu, ku presidenti e ushtron atë nëpërmjet një urdhri ekzekutiv që të shkakton dëm të pariparueshëm për individët në të gjithë vendin” kishte shkruar në vendimin e tij kryetari i gjykatës së apelit Roger L. Gregory. Ka të ngjarë që presidenti të apelojë çështjen në Gjykatën e Lartë amerikane.