Irani, Azerbajxhani dhe Rusia do të lidhin Azinë me Evropën
https://parstoday.ir/sq/news/iran-i62069-irani_azerbajxhani_dhe_rusia_do_të_lidhin_azinë_me_evropën
Irani, Azerbajxhani dhe Rusia synojnë të lidhin Bandar Abasin në jug të Iranit me Helsinkin në Finlandë, tha presidenti iranian Hasan Ruhani.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Nëntor 01, 2017 17:26 Europe/Tirane
  • Irani, Azerbajxhani dhe Rusia do të lidhin Azinë me Evropën

Irani, Azerbajxhani dhe Rusia synojnë të lidhin Bandar Abasin në jug të Iranit me Helsinkin në Finlandë, tha presidenti iranian Hasan Ruhani.

"Tranziti midis tre vendeve dhe gjithashtu midis Azisë dhe Evropës është vendimi i parë që është marrë nga Irani, Azerbajxhani dhe Rusia", tha Ruhani të mërkurën në një konferencë të përbashkët për shtyp me presidentët e Rusisë dhe Azerbajxhanit. Ai vlerësoi Presidentin azerbajxhanas Ilham Aliev dhe Presidentin rus Vladimir Putin për pjesëmarrjen e tyre në takimin trepalësh në Teheran. "Miqësia, fqinjësia dhe marrëdhëniet kulturore midis tre vendeve na nxitën të përfitonim nga kapaciteti i marrëdhënieve trepalëshe," tha ai. "Ne kemi për qëllim të lehtësojmë marrëdhëniet ekonomike midis tre vendeve," vuri në dukje Presidenti Ruhani. “Përmirësimi i lidhjeve bankare dhe hapja e bazave për tre vendet për përdorimin e monedhave të tyre kombëtare në shkëmbimet tregtare dypalëshe dhe trepalëshe ishin ndër temat e tjera të diskutuara nga tre presidentët”, shtoi ai. Presidenti iranian vuri theksin tek nafta dhe gazi dhe tek pozita e lartë e Iranit në botë, duke shtuar: "Ne mund të zhvillojmë bashkëpunimin në prodhimin dhe eksplorimin e naftës dhe investimin në fushën e energjisë". Ruhani e vlerësoi gjithashtu z. Putin për pranimin e organizimit të raundit tjetër të takimit trepalësh në Moskë. "Përveç çështjeve ekonomike, ne diskutuam çështje rajonale si siguria e rajonit, lufta kundër terrorizmit dhe trafikut të drogës dhe gjithashtu bashkëpunimi Iran-Rusi në ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë në Siri," tha ai. Takimi trepalësh i Presidentit të Iranit me Presidentin azerbajxhanas Ilham Aliev dhe Presidentin rus Vladimir Putin u mbajt të mërkurën në mbrëmje me qëllim përforcimin e bashkëpunimit mes Teheranit, Moskës dhe Bakusë. Vazhdimi i bashkëpunimit për të finalizuar infrastrukturën hekurudhore dhe rrugore në kuadër të Korridorit të Transportit Veri-Jug dhe ndjekja e marrëveshjeve të nënshkruara tashmë për çështjet e tranzitit ishin ndër temat më të rëndësishme të diskutuara nga të tre palët.