Presidenti iranian arrin në Suçi të Rusisë
Presidenti i Republikës Islamike të Iranit sot ka shkuar në Suçi të Rusisë për të marrë pjesë në takimin trepalësh të presidentëve të Republikës Islamike të Iranit, Rusisë dhe Turqisë në të cilin do të bisedohet rreth krizës në Siri.
Z. Hasan Ruhani para nisjes në këtë udhëtim, deklaroi: "Tani janë shkatërruar bazat e terrorizmit në Irak dhe Siri dhe lufta e Iranit kundër grupeve terroriste në rajonin e Lindjes së Mesme do të vazhdojë deri në zhdukjen e tyre". Z. Ruhani në vazhdim tha gjithashtu se Republika Islamike e Iranit përkundër Amerikës dhe sionistëve, nuk synon tensionimin e rajonit, sepse qeveria dhe populli i Iranit dëshiron vetëm të mirën e rajonit dhe stabilitetin e qëndrueshëm të Lindjes së Mesme, si dhe nuk synon përballjen me ndonjë vend tjetër, por synon bashkëpunimin me vendet e rajonit të Lindjes së Mesme. Ai shtoi: "Irani që nga fillimi i krizës, destabilizimit, pasigurisë dhe krijimit të grupeve terroriste në rajonin e Lindjes së Mesme, besonte se terrorizmi i shfrytëzuar si vegël për ndryshimin e kufijve gjeografik dhe për garantimin e ndërhyrjes së fuqive të huaja sidomos të Amerikës dhe sionistëve në rajon, nuk do të ketë sukses". Z. Ruhani vuri në dukje edhe vendosmërinë e Iranit, Rusisë dhe Turqisë për suksesin e negociatave të Astanasë për zgjidhjen e krizës së Sirisë dhe theksoi: "Në vazhdim të këtij suksesi, sot në Suçi të Rusisë do të zhvillohet një takim i rëndësishëm në nivel të krerëve të tre vendeve: Iranit, Rusisë dhe Turqisë. Vendimet e takimit të Suçit do të krijojnë kushtet për një të ardhme të mirë për Sirinë, sepse e ardhmja e Sirisë nuk do të jetë në duart e forcave dhe fuqive të huaja, por e ardhmja e Sirisë do të jetë në duar të popullit të këtij vendi".