Teherani e konsideron të paligjshme praninë e forcave amerikane në Siri
Kreu i Këshillit Strategjik të Iranit për Marrëdhëniet me Jashtë tha të enjten se prania e forcave amerikane në Siri nuk do të kontribuojë për paqen në vend dhe Irani e konsideron të paligjshme këtë prani.
"Shtetet e Bashkuara duhet të lejojnë që palët siriane të bisedojnë me njëri-tjetrin në mënyrë që të vendosin paqen duke zgjidhur mosmarrëveshjet," tha Kemal Kharazi, pas një takimi në Damask me ministrin e Sirisë për Pajtimin Kombëtar, Ali Haidar. Ai gjithashtu tha për agjencinë e lajmeve IRNA se me ministrin sirian kishte diskutuar mënyrat për të promovuar pajtimin kombëtar në Siri dhe rolin e elementeve të huaja. Ndërkohë, ministri për Pajtimin Kombëtar të Sirisë, Ali Haidar tha se shumica e grupeve të Sirisë po theksojnë mbi realizimin e procesit të pajtimit kombëtar dhe përpjekjet për këtë çështje kanë qenë të kënaqshme. Siria do të kapërcejë krizën dhe fitorja po realizohet me koordinimin dhe ndihmat e aleatëve të saj, tha ai. Duke iu referuar lidhjeve të vjetra Iran-Siri, Haidar tha se të dy vendet po luftojnë në të njëjtin front.