Pekini: Të gjithë të përkrahin marrëveshjen bërthamore
Kina ka theksuar se të gjitha palët duhet të vazhdojnë të mbështesin marrëveshjen bërthamore të Iranit pas kërcënimeve nga Shtetet e Bashkuara dhe përpjekjet nga regjimi izraelit për të sabotuar marrëveshjen e rëndësishme.
"Ajo që është emergjente tani është se të gjitha palët relevante duhet të mbajnë parasysh interesin e madh dhe interesin afatgjatë dhe me besnikëri të zbatojnë dhe mbështesin marrëveshjen bërthamore me Iranin", tha të mërkurën zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Hua Chunying, në një konferencë të rregullt për shtyp. Ajo tha se Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike ishte i vetmi organizëm ndërkombëtar me të drejtën për të mbikëqyrur marrëveshjen dhe për marrjen e vendimeve lidhur me të, duke vënë në dukje se ANEA kishte konfirmuar disa herë se Irani po e respektonte marrëveshjen dhe se masat e inspektimit ishin në vend për të siguruar pajtueshmërinë e Iranit lidhur me marrëveshjen bërthamore. Deklaratat e zyrtares kineze erdhën pasi Presidenti i SHBA, Donald Trump, po kërcënon të largohet nga marrëveshja më 12 maj, që është afati i fundit për Uashingtonin që të shpallë vendimin e tij nëse do të mbetet ose jo në marrëveshjen bërthamore. Trump u ka dhënë afat nënshkruesve evropianë, domethënë Francës, Britanisë dhe Gjermanisë, deri në atë datë për të rregulluar "gabimet" në marrëveshjen bërthamore.