Irani do të ruajë rolin këshillues ushtarak në Siri
https://parstoday.ir/sq/news/iran-i76566-irani_do_të_ruajë_rolin_këshillues_ushtarak_në_siri
Zyrtari më i lartë i sigurisë së Iranit theksoi se Irani do të ruajë rolin e tij këshillues në Siri dhe do të vazhdojë mbështetjen për grupet e rezistencës, pasi SHBA kërkuan që Teherani të ndalojë këto aktivitete.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
May 27, 2018 15:07 Europe/Tirane
  • Irani do të ruajë rolin këshillues ushtarak në Siri

Zyrtari më i lartë i sigurisë së Iranit theksoi se Irani do të ruajë rolin e tij këshillues në Siri dhe do të vazhdojë mbështetjen për grupet e rezistencës, pasi SHBA kërkuan që Teherani të ndalojë këto aktivitete.

"Për sa kohë që në Siri ekziston kërcënimi i terrorizmit dhe derisa qeveria e ligjshme e vendit vazhdon të kërkojë praninë këshilluese të Iranit, ne do të qëndrojmë në Siri", tha të shtunën sekretari i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit, admiral Ali Shamkhani. Shamkhani, në një intervistë me transmetuesin katariot Al-Jazeera, theksoi se prania e Iranit në Siri ka për qëllim vetëm luftën kundër terrorizmit me ftesën e qeverisë legjitime të vendit. Shamkhani gjithashtu hodhi poshtë kërkesat e tjera amerikane, duke përfshirë thirrjen që Irani të ndalë të gjithë pasurimin e uraniumit, të ndalojë programin e raketave dhe t'u japë inspektorëve bërthamorë qasje në të gjithë vendin. "Programi raketor i Iranit është tërësisht vendas dhe mbrojtës, nuk do të kërkojmë leje nga askush për të zhvilluar fuqinë tonë të mbrojtjes dhe nuk do të zhvillojmë bisedime me askënd" tha ai. "Nuk ka asnjë arsye logjike për të negociuar me një vend që nuk i përmbahet angazhimeve të tij. Duke lënë marrëveshjen bërthamore, SHBA praktikisht e grisi këtë marrëveshje ndërkombëtare," tha Shamkhani.