SHBA synon të krijojë një 'NATO arabe' kundër Iranit
Burime të mirëinformuara thonë se administrata e Presidentit të SHBA, Donald Trump, ka qenë duke ecur përpara në heshtje me një plan për të krijuar një aleancë ushtarake midis vendeve arabe, për tu përballur me Iranin, pavarësisht nga ndarjet e thella midis shteteve arabe të Gjirit Persik.
Para vizitës së Trump në Arabinë Saudite vitin e kaluar, raportet thanë se Presidenti Trump pritej të paraqiste vizionin e tij për atë që zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë e quajnë "NATO arabe", të përbërë nga gjashtë vende arabe të Gjirit Persik, Egjipti dhe Jordania. Shtetet e Bashkuara do të luanin një rol organizues dhe mbështetës duke qëndruar jashtë aleancës kundër Iranit, shtojnë raportet. Të shtunën, zyrtarët amerikanë dhe arabë thanë se administrata e Trump shpresonte të diskutonte planin në një samit të caktuar në Uashington në mesin e tetorit. Megjithatë, një konfrontim diplomatik midis Katarit dhe një kuarteti të udhëhequr nga Arabia Saudite duket se ka penguar tashmë formimin e të ashtuquajturës "NATO arabe". Bruce Riedel, një ish-agjent i CIA-s dhe anëtar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA, tha se mosmarrëveshja kishte dëmtuar mundësinë për një aleancë anti-Iran. Koncepti i një "NATO arabe" tani është "duke u copëtuar", tha ai, duke shtuar se qëllimi i Riadit ishte në të vërtetë një "ndryshim i regjimit në Katar".