Irani hedh poshtë pretendimet për dërgimin e raketave në Irak
Irani e ka refuzuar fuqishëm duke e konsideruar si "të rremë, të pakuptimtë dhe qesharak" një raport të kohëve të fundit në media se Teherani ka dërguar raketa në Irak, duke thënë se këto pretendime kanë për qëllim të ushqejnë Iranofobinë në rajon.
"Ajo që është thënë dhe botuar nga disa qeliza famëkeqe dhe media të caktuara rreth transferimit të raketave iraniane në Irak është një deklaratë absurde dhe e pavërtetë", tha zëdhënësi i Ministrisë së jashtme të RII z. Behram Kasemi të shtunën. "Raporti ka për qëllim vetëm krijimin e frikës midis vendeve të rajonit" dhe është në përputhje me politikat e Iranofobisë, shtoi ai. Kasemi theksoi se raportet e tilla janë "krejtësisht të rreme dhe qesharake" dhe nuk kanë asnjë qëllim, pos të "ndikojnë në marrëdhëniet e jashtme të Iranit, veçanërisht në lidhjet me fqinjët e tij". Këto deklarata të z. Kasemi erdhën një ditë pasi Reuters në një raport ekskluziv citoi burime të paidentifikuara duke pohuar se Irani i ka dhënë raketat balistike luftëtarëve shiitë në Irak dhe po zhvillon aftësinë për të qenë prezent atje më shumë për të penguar sulmet ndaj interesave të tij në Lindjen e Mesme.