Kasemi: Marrëdhëniet e mira të Iranit dhe Irakut vazhdojnë
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Islamike të Iranit deklaroi se Irani dhe Iraku pavarësisht përpjekjeve të palogjikshme të Amerikës, kanë marrëdhënie të mira bilaterale.
Bahram Kasemi, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Islamike të Iranit, të hënën në konferencën për shtyp me gazetarët e huaj dhe vendorë, në lidhje me shtimin e presioneve të Amerikës mbi qeverinë e Irakut për të reduktuar bashkëpunimet ekonomike me Iranin, theksoi: "Iraku është një fqinjë i mirë dhe partner i rëndësishëm ekonomik i Iranit dhe përpjekjet e palogjikshme të Amerikës për të krijuar probleme dhe pengesa në marrëdhëniet bilaterale nuk mund të krijojnë pengesa në këto marrëdhënie".
Kasemi në lidhje me vizitën e ministrit të jashtëm të Iranit në Katar dhe formimin e një diplomacie të re rajonale, deklaroi: "Politikat rajonale të Iranit janë po ato politika të kaluara të cilat ndiqen në bazë të realiteteve dhe qëllimeve rajonale të Iranit".
Kasemi në lidhje me tërheqjen e kompanive shtetërore të Rusisë dhe Kinës nga partneriteti në zhvillimin e sektorit të naftës dhe gazit të Iranit, deklaroi: "Deri në kohën kur nuk bëhet ndonjë deklarim zyrtar nga ana e shteteve pjesëmarrëse në zhvillimin e industrisë së naftës në Iran, nuk duhet t'i kushtohet vëmendje lajmeve të tilla, përveç kësaj po ushtrohet një presion i madh nga ana e Amerikës mbi kompanitë e mëdha për të ndërprerë bashkëpunimin me Iranin".
Në lidhje me operacionet ushtarake të Turqisë në veri të Sirisë, z. Kasemi tha: "Asnjë shtet nuk mund të kryejë operacione ushtarake në territorin e Sirisë pa lejen e qeverisë qendrore të këtij vendi dhe kjo është politika e përgjithshme e Republikës Islamike të Iranit, prandaj nëse nuk respektohet ky parim, atëherë mund të krijohen probleme dhe pengesa në progresin e procesit të negociatave të Astanasë në lidhje me krizën e Sirisë".
Kasemi në vazhdim vuri në dukje çështjen e mbështetjes së Iranit ndaj arritjes së armëpushimit në Jemen dhe deklaroi: "Që nga fillimi i agresionit ushtarak të Arabisë Saudite kundër Jemenit, qëndrimet e Teheranit në lidhje me këtë krizë kanë qenë plotësisht të qarta dhe në këtë kuadër është paraqitur plani katër pikësh i Republikës Islamike të Iranit për vendosjen e armëpushimit dhe për krijimin e kushteve për dërgimin e ndihmave humanitare deri në zhvillimin e bisedimeve mes palëve jemenase për formimin e një qeverie gjithëpërfshirëse".
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Islamike të Iranit u shpreh optimist se bisedimet e Stokholmit do të jenë një fillim pozitiv për popullin e Jemenit dhe të marrë fund agresioni ushtarak dhe shkatërrimi i infrastrukturës së këtij vendi.
Kasemi foli edhe rreth qëndrimet e ashpra të senatorëve amerikan kundër Arabisë Saudite në lidhje me vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi politikat kontradiktore të Donald Trump në Lindjen e Mesme dhe deklaroi: "Trump në çdo mëngjes zgjohet me një politikë të pamatur dhe të gabuar duke paraqitur një çështje. Ky person ndaj shumicës së vendeve të botës ka qëndrime dhe sjellje kontradiktore duke anashkaluar logjikën e shëndoshë".
Në lidhje me protestat në Francë, z. Kasemi tha se zhvillimet në Francë janë çështje e brendshëm e këtij vendi, mirëpo është mirë qeveria e këtij vendi të tregojë më shumë vetëpërmbajtje ndaj protestuesve.