Diplomacia e Iranit dhe Turqisë kësaj here në gjysmën e botës
Mevlud Çavushoglu, ministër i jashtëm i Turqisë ditën e enjte zhvilloi një vizitë në qytetin Esfahan ku u takua me Muhamed Xhavad Zarif ministër i jashtëm i Republikës Islamike të Iranit.
Në këtë takim ministrat e jashtëm të Turqisë dhe Iranit diskutuan mbi marrëdhëniet dypalëshe dhe çështje të ndryshme rajonale. Abas Musavi zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit njoftoi se shefat e diplomacisë së Iranit dhe Turqisë në qytetin Esfahan diskutuan për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe për zbatimin e marrëveshjeve mes dy vendeve, si dhe kanë analizuar zhvillimet më të fundit në rajonin e Azisë Perëndimore. Irani dhe Turqia si dy vende fqinje dhe faktorë aktivë dhe me ndikim në rajonin e Azisë perëndimore, gjithmonë janë munduar për zgjerimin e marrëdhënieve ekonomike dypalëshe dhe gjithmonë kanë ndjekur me kujdes zhvillimet në rajon. Takimi i fundit mes krerëve të Turqisë dhe të Iranit u mbajt në kuadër të konferencës së Tolerancës dhe Mirëbesimit të Azisë në qytetin Dushanbe të Taxhikistanit. Hasan Ruhani më 15 qershor të këtij viti në qytetin Dushanbe pati një takim me Rexhep Taip Erdogan presidentin e Turqisë ku shprehu interesimin e Teheranit për zgjerimin e marrëdhënieve me Ankaranë sidomos në fushën e ekonomisë dhe tregtisë. Në këtë takim presidenti i Republikës Islamike të Iranit ka thënë: Përpjekjet për forcimin e bashkëpunimit dhe për arritjen e kuotës së rënë dakord për shkëmbimet tregtare duhen dyfishuar. Vlera e shkëmbimeve tregtare mes Iranit dhe Turqisë për vitin 2019 ka arritur në 12 miliard dollarë. mirëpo krerët e të dy vendeve janë të angazhuar për të rritur kuotën e shkëmbimeve tregtare deri në nivelin 30 miliard dollarë në vit. Duke pasur parasysh potencialet ekonomike të Turqisë dhe Iranit, tregjet e të dy vendeve kanë nevojë për mallra dhe produkte iraniane dhe turke dhe çka është më e rëndësishme është bashkëpunimi bankar nëpërmjet monedhave vendase për të arritur shkëmbimet tregtare deri në nivelin e 30 miliard dollarëve. Si Turqia ashtu edhe Irani kanë vullnet serioz për zgjerimin e marrëdhënieve mes tyre dhe gjatë viteve të fundit dhe sidomos pas nënshkrimit të marrëveshjes bërthamore janë hedhur hapa të rëndësishëm në këtë fushë. Që të dy presidentët janë të interesuar për zgjerimin akoma më të madh të marrëdhënieve tregtare dhe ekonomike dhe bashkëpunimin dypalësh dhe atë rajonal të Teheranit dhe Ankarasë. Rexhep Taip Erdogan president i Turqisë në kuadër të konferencës së Tolerancës dhe Mirëbesimit në qytetin Dushanbe dhe gjatë takimit që ai pati me presidentin Hasan Ruhani tha: Marrëdhëniet Iran Turqi në shumë fusha janë afruar shumë dhe forcimi akoma më i madh i bashkëpunimi bilateral dhe rajonal për Ankaranë ka rëndësi tepër të madhe. Dy krerët e Turqisë dhe të Iranit gjithashtu kanë theksuar rëndësinë e ruajtjes së paqes dhe sigurisë në rajonin strategjik të Azisë Perëndimore. Vizita e fundit e ministrit të jashtëm të Turqisë në Iran dhe takimi I Mevlud Çavushoglu me ministrin e jashtëm të Republikës Islamike të Iranit, sidomos pas takimit të fundit të presidentëve të Iranit dhe Turqisë në Dushanbe, tregon rëndësinë dhe ndikimin e bashkëbisedimeve dypalëshe në kushtet aktuale.