Irani në brigjet e Mesdheut?
Prania ekonomike e Iranit në portin sirian të Latakias do t'i japë qasje të drejtpërdrejtë në Mesdhe, që do të thotë se Irani do të ketë një dorë të fortë në ekuacionet energjetike dhe ekonomike të Azisë Perëndimore.
Me zbatimin e projektit të ndërtimit të rrugës hekurudhore të vendosur një vit më parë nga zyrtarë iranianë, irakianë dhe sirianë, Gjiri Persik dhe portet iraniane do të lidhen me Mesdheun. Samiti i parë trepalësh i bashkëpunimit për transportin Iran-Siri-Irak u zhvillua të hënën në Teheran, me një fokus të veçantë në zbatimin e korridorit hekurudhor midis të tre vendeve si pjesë e Rrugës së Mëndafshit. Me këtë rast, uebfaqja e Mashregh News zhvilloi një intervistë me Hassan Danaifar, ish ambasadori iranian në Irak, i cili aktualisht është sekretar i qendrës së zhvillimit të marrëdhënieve ekonomike të Republikës Islamike me Irakun dhe Sirinë. Duke iu referuar projekteve të ardhshme hekurudhore midis Iranit dhe Irakut, Danaifar tha se ndërtimi i një linje hekurudhore midis dy vendeve ka qenë në axhendën e Teheranit dhe Bagdadit për disa vite. Projekti ishte ndërprerë për një kohë për shkak të shfaqjes së grupit terrorist ISIS. "Pas formimit të qeverisë së re të Irakut, u vendos në agjendë çështja e lidhjes së linjave hekurudhore iraniane nga Shalamçe në Basra. Këshilli i Ministrave irakian e ka miratuar atë. Shpresojmë që para vjeshtës së këtij viti do të bëhet puna paraprake ", tha zyrtari iranian. Ish ambasadori iranian në Bagdad shtoi se linjat hekurudhore ndërmjet Irakut dhe Sirisë do të lidheshin së shpejti, pasi ka vetëm një distancë të shkurtër mes dy vendeve që nuk janë të lidhura me rrjetin hekurudhor, specifikoi ai. "Lidhja e rrjeteve hekurudhore të të tre vendeve do të ketë një ndikim të konsiderueshëm në tranzitin e mallrave nga Irani në Irak dhe Siri dhe anasjelltas," tha Danaifar. Lidhur me ndikimin e korridorit hekurudhor në aksin e Rezistencës, zyrtari iranian tha se një nga elementet thelbësore në forcimin e lidhjeve midis këtyre vendeve ishte sigurisht çështja e bashkëpunimit ekonomik. "Po shohim një rritje në nivelin e tregtisë midis Iranit dhe Irakut. Konsultime do të mbahen edhe në kontekstin e marrëdhënieve politike dhe të sigurisë midis Iranit, Sirisë dhe Irakut, çka do të forcojë marrëdhëniet ekonomike. Forcimi i marrëdhënieve ekonomike është një nga faktorët më të rëndësishëm në zhvillimin e marrëdhënieve midis tre vendeve që janë në vijën e parë të frontit të rezistencës ", tha ai. Duke iu referuar vizitës në Siri të Shefit të Shtabit të Forcave të Armatosura të Iranit gjeneralit Muhamed Bakeri, dhe këmbënguljen e tij për fillimin e shpejtë të korridorit tokësor midis tri vendeve, z. Danaifar tha se realizimi i këtij projekti lejon lidhjen e Oqeanit Indian, Gjirit Persik, Detit të Omanit me brigjet e Mesdheut dhe kështu me Afrikën Veriore dhe Evropën Jugore. "Korridori është një linjë e shkurtër dhe ekonomike për zhvillimin e rajonit. Kalimi i mallrave nga Mesdheu në jug të Rusisë do të jetë përmes këtij korridori, "shtoi ai. Lidhur me menaxhimin e portit sirian të Latakias nga Irani, Danaifar tha se ky port do t'i dorëzohej Iranit deri në fund të këtij viti.