Irani pasuron uraniumin në gradën 4.5%
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike ka publikuar një raport që konfirmon një njoftim të mëparshëm të zëdhënësit të Organizatës për Energji Atomike të Iranit, Behruz Kamalvandi, se Teherani ka tejkaluar cakun për pasurimin e uraniumit prej 3.67% dhe arriti rreth 4.5%.
Të hënën në mëngjes, Kamalvandi u shpreh se hapi i ardhshëm i Iranit në reduktimin e angazhimeve nën marrëveshjen bërthamore do të jetë më i fortë. "Uraniumi i pasuruar në masën 20 % nuk është i nevojshëm tani, por nëse duam, ne do ta prodhojmë atë. Kur kemi lënë mënjanë kufirin e pasurimit në gradën 3.67%, ne nuk kemi asnjë pengesë apo problem me këtë veprim", shtoi ai. Kamalvandi tha se nënshkruesit evropianë të marrëveshjes bërthamore duhet të veprojnë shpejt për të përmbushur premtimet e tyre, sepse Irani do të vazhdojë të ulë angazhimet e tij ndaj marrëveshjes derisa të arrijë një rezultat. Të hënën në mbrëmje, ANEA konfirmoi se Irani e kishte njoftuar këtë agjenci se "bazuar në vlerësimin e operatorit" niveli i pasurimit ka arritur rreth 4.5%.